Tre muaj pas një përplasjeje me Jose Mourinhon, që dukej se i kishte dhënë fund karrierës së Rick Karsdorpit te Roma, mbrojtësi holandez është kthyer në ekip.
Mourinho bëri një deklaratë të egër që kishte për shënjestër Karsdorpin, pas barazimit 1:1 të Romës ndaj Sassuolos në nëntor të vitit të shkuar. Trajneri portugez kishte thënë se ishte “tradhtuar nga një lojtar me një qëndrim joprofesional”.
Mourinho nuk e përmendi emrin e holandezit, por Karsdorp nuk ka luajtur më për Romën që nga atëherë. Një largim, në dukje i pashmangshëm, nga kryeqyteti italian nuk u realizua në janar dhe mbrojtësi i djathtë duket se ka bërë paqe me Mourinhon. Aq sa trajneri portugez iu afrua të kërkonte falje për fjalët e tij të ashpra dhe tashmë llogarit në shërbimet e holandezit për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
“Sa për mënyrën se si janë gjërat mes nesh, nuk ka pasur asnjë problem që nga dhjetori”, tha Mourinho. “Problemi lindi kundër Sassuolos për shkak të qëndrimit të lojtarit në stol dhe kur ai hyri, gjë që nuk më pëlqeu. Pastaj e teprova pak me zgjedhjen time të fjalëve në konferencën pas ndeshjes. Pas asaj periudhe mediat menduan se kishte mbaruar mes nesh, por nuk ishte kështu. Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë”.
Situata midis Romës dhe Karsdorpit u përkeqësua aq shumë sa sindikata e lojtarëve FIFPRO lëshoi një deklaratë në fund të vitit të kaluar, ku “dënonte fuqishëm trajtimin e klubit ndaj futbollistit”.
Por Mourinho dhe Roma insistuan se holandezi 28-vjeçar thjesht ishte lënë jashtë fushës për shkak të problemeve me lëndimin.
“Kam pasur disa probleme dy javët e fundit me gjurin tim, çdo herë ishte i ënjtur”, tha Karsdorp. “Pra, pata disa dhimbje, por tani po ndihem mirë. Ky është viti im i gjashtë këtu. Më pëlqen të luaj për këtë klub. Gjëja që dua të them për mua dhe trajnerin, është se njerëz si ata të FIFPRO dhe avokati im nuk flisnin në emrin tim. Njerëzit thanë gjëra që nuk ishin të vërteta. Çështja është se unë thjesht dua të luaj për këtë klub. Dhe, siç thashë më parë, jam i lumtur që jam kthyer”.
Karsdorp mund të bëjë paraqitjen e parë në Serie A që nga ajo ndeshje me Sassuolon, kur Roma pret Veronan të dielën në “Stadio Olimpico” në kuadër të xhiros së 23-të. Roma, e cila barazoi 1:1 në Lecce fundjavën e kaluar, është përfshirë në një betejë për vendet e Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Mourinhos aktualisht zë vendin e katërt në Serie A, përkatësisht të fundit që dërgon në Champions sezonin tjetër. Është mbi Milanin vetëm falë diferencës së golave.