Sport

Karriera me shumë trofe e me sfida e Drilon Hajrizit

Drilon Hajrizi mburret me gjithçka që ka arritur deri tash në karrierën si basketbollist. Mitrovicasi ka fituar gjithçka që mund të fitohet në Kosovë. Por Hajrizi, si gjithë sportistët e tjerë ka pasur edhe sfida gjatë rrugëtimit. Sfidat më të mëdha me të cilat është përballur thotë se janë lëndimet.

Basketbollisti 32-vjeçar i Trepçës është i bindur se do të kishte karrierë edhe më të madhe nëse nuk do të përballej me shumë lëndime.

Hajrizi po kalon formë të lartë. Ishte prej më meritorëve që Trepça e fitoi Kupën e Kosovës për herë të dytë rresht. Trepça po paraqitet me sukses edhe në Superligë. Është në seri fitoresh dhe synon titullin e kampionit.

“Kam pasur shumë sfida në jetë dhe ndoshta një gjë që më ka stagnuar kanë qenë operimet. Kam katër operime në trupin tim. Unë mburrem që kam arritur t'i menaxhoj sfidat. Ndoshta po të mos i kisha lëndimet do të kisha pasur mundësi të arrija edhe më shumë, por kjo nuk është varur nga unë dhe është dashur ta pranoj me sportivitet”, ka thënë Hajrizi për KOHËN.

Ai mburret që ka menaxhuar në mënyrën më të mirë sfidat që i kanë dalë gjatë rrugës së nisur si 16-vjeçar.

Ai ka debutuar si 16-vjeçar në klubin e basketbollit Trepça. Debutimi te klubi mitrovicas ka qenë nisja e një karriere të pasur.

“E kam pritur atë moment gjatë, kam punuar shumë për atë moment. Ka qenë moment i mirë kur më është kumtuar lajmi se nga gjeneratat e reja do ta vazhdoj karrierën si senior te Trepça. Është një nga momentet më të mira të karrierës sime. Kam kaluar edhe disa vjet te klubi i qytetit tim, i zemrës sime, Trepça. Pastaj siç e dimë të gjithë, nisi rinovimi i palestrës që u zgjat shumë dhe vazhdova karrierën time jashtë vendit”, ka theksuar Hajrizi.

Hajrizi u largua nga Trepça në vitin 2013 për t’iu bashkuar Pejës. Ai thotë se lëvizja e parë nga Trepça ka qenë e vështirë.

“Jam rritur me këto ngjyra dhe në këtë qytet dhe sigurisht që për mua ka qenë shumë e vështirë lëvizja e parë. Por duke pasur parasysh momentet që ka kaluar klubi e kam parë më të arsyeshme që të vazhdoj tutje karrierën profesionale. Jam tip që dua të luftoj gjithmonë për trofe. Kam karakter fituesi. Deri tash ia kam dalë me sukses”, është shprehur Hajrizi, që mbulon pozita të ndryshme, varësisht nga nevojat e skuadrës.

Më shumë bujë bëri lëvizja e tij te klubi i Sigal Prishtinës, rivalit të madh të Trepçës dhe Pejës. Ka pasur reagime nga më të ndryshmet nga tifozët e Prishtinës, por jo vetëm ata. Ndonëse nga tifozët ishte pritur me shumë vështirësi, Hajrizi edhe te Prishtina ishte ndër më të mirët në parket.

“Si karakter që kam, mundohem ta bëj zgjedhjen më të mirë profesionale. Kalimi im ka qenë më shumë për të provuar veten në gara ndërkombëtare. Prishtina ka qenë atëbotë klubi i vetëm që garonte në Evropë. Kjo ka qenë arsyeja, pastaj siç rrodhën gjërat, mora oferta nga Japonia, që ka qenë ndër momentet më të mira të jetës sime. Kam mësuar në shumë aspekte me atë lëvizje”, ka deklaruar Hajrizi.

Pas periudhës në klubin e Prishtinës, basketbollisti 203 centimetra i gjatë vendosi të bëjë karrierë jashtë vendit. Ai iu bashkua ekipit nga Japonia, Kanazawa Samurai.

Ai tregon se jetesa ishte ndryshe nga Evropa. Hajrizi thekson se ka qenë sfiduese jeta në Japoni. Por një lëndim e detyroi të kthehej në Kosovë.

Nga klubi japonez kaloi te Bashkimi i Prizrenit. U rikthye sërish te klubi Peja, ndërsa në vitin 2020 pati edhe një rikthim tjetër në Trepçë.

“Erdhi momenti i shumëpritur të rikthehem në ekipin e zemrës për të fituar trofe. Nga rikthimi im kemi fituar tre trofe, jemi në luftë për të katërtin ku kemi mundësinë dhe kapacitetin dhe uroj të dalim fitimtar në fund të kësaj gare”, ka deklaruar Hajrizi.

Ai pret që me Trepçën ta fitojë titullin pas 11 vjetësh pritjeje.

“Dua të besoj dhe jo vetëm unë, por të gjithë po besojnë se mund t'ia dalim. Kemi kapacitet, skuadër të mirë dhe staf të mirë. Kemi organizim brenda ekipit dhe këto na çojnë drejt titullit kampion”, thotë Hajrizi.

Ai njihet për karakterin fitues.

“Ka pasur momente të mira, të hidhura, por duhet të dish se si t’i menaxhosh. Ndër momentet më të mira ka qenë viti 2012, kur kemi fituar pas dhjetë vjetësh titullin e kampionit. Ka qenë një gëzim i madh. Ka qenë titulli i vetëm që më mungonte me Trepçën, pasi i kisha fituar të gjitha në grupmoshat e reja. Dhe, po, ka qenë titulli i kampionit me Trepçën, klubin e zemrës”, kujton Hajrizi triumfin në vitin 2012 me klubin e qytetit.

Ai është ndër lojtarët kyç edhe te Kosova. Edhe te Përfaqësuesja ka pasur sfida, por që thotë se i takojnë të kaluarës.

“Ndjenja më e mirë që mund ta kesh ndonjëherë për të kontribuar për vendin tënd. E kam të trashëguar nga prindërit që në çfarëdo mundësie të jap kontributin për vendin tim. Për çdo sportist kulmi është të mbroj ngjyrat e shtetit të vet”.

Hajrizi me Trepçën së fundi festoi Kupën e Kosovës. Por synimet e tij me klubin mitrovicas janë edhe më të mëdha.

“E dinë edhe kryesia atë që kam merak unë, pra ta dërgojmë Trepçën në gara ndërkombëtare, në një sukses i cili nuk është parë ndonjëherë në Kosovë”, ka thënë Hajrizi.

Trepça është ndër klubet më të organizuara në vitet e fundit. Ka bërë goxha investime, ndërsa qëndron mirë si në aspektin organizativ ashtu edhe atë financiar. Vlerësohet lart edhe kontributi që tifo-grupi “Torcida” po e jep në rrugëtimin e Trepçës.