Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është kthyer të enjten në vend dhe menjëherë hendbollistët i janë nënshtruar testimit të ri për COVID-19, ka njoftuar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK).
Kosova të mërkurën mbrëma pësoi nga Mali i Zi (32:25) në Podgoricë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2022”, por angazhimi është vlerësuar të ketë qenë në nivel e po ashtu edhe paraqitja në pjesën e parë.
Hendbollistët të premten i nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Suedisë që e luajnë të dielën në Prishtinë. Suedia vlerësohet përfaqësuesja më e fortë në grup, por kapiteni Valon Dedaj ka premtuar angazhim maksimal.
“Ndeshja me Malin e Zi ishte mjaft e vështirë, pasi që Mali i Zi ka ekip mjaft të fortë dhe të nivelit të lartë. Ne u munduam dhe në pjesën e parë arritëm t’i përmbushim me sukses detyrat e trajnerit, ndërsa në pjesën e dytë patëm disa gabime që na kushtuan me humbje. Ndeshja me Suedinë do të jetë mjaft e fortë sepse Suedia është kundërshtari më cilësor në grup. Por do të mundohemi të japim maksimumin”, ka premtuar Dedaj.
Kosova do ta kërkoj rastin ndaj Suedisë, por edhe në ndeshjet tjera të kësaj kampanje kualifikuese. “Shpresojmë të qetësohet situata me koronavirus dhe të kemi ekipin e plotë. Kemi disa mungesa dhe në ndeshjet që i luajmë si vendas besoj se do të kemi rezultate pozitive”, tha Dedaj.
Suedia të enjten luajti ndaj Rumanisë kurse fitoi me rezultat të ngushtë, 33:30.