Sport

Kampionët e dorëzuar

Trajneri Shpëtim Duro së fundi ka thënë se prioritet i skuadrës së tij, Drita, nuk është mbrojtja e titullit, por triumfi në garat e Kupës.

"Ky vendim" u zbulua pasi ekipi i tij u mposht fundjavën e shkuar në derbi nga Prishtina. Skuadra kampione do të dimërojë në vendin e gjashtë me 16 pikë më pak se liderja, Prishtina, shkruan sot Koha Ditore.

Shumë më herët se Duro, që është angazhuar për të ndihmuar Dritën të mbrojë titullin, dorë nga gara për titull ka hequr trajneri i Bashkimit, Krusoslav Krajnoviq. Skuadra prizrenase stinorin e shkuar ishte më e mira në basketboll, por këtë stinor është larg Prishtinës dhe disa skuadrave më të vogla.

Duro, që në krye të Dritës zëvendësoi Bekim Isufin, ka thënë se ekipi i tij tash e tutje synimin kryesor për këtë edicion e ka Kupën e Kosovës. Drita ka arritur në 1/8 e finales të kësaj gare.

"Sigurisht, fokusi është te Kupa e Kosovës që mbetet objektivi kryesor për këtë edicion. Është normale të mos mendohet për mbrojtjen e titullit. Për të fituar titullin duhet një fillim i mirë i edicionit, sepse është vështirë të rikuperosh pikët e humbura", ka thënë Duro, duke shtuar se ka kërkuar dy apo tre lojtarë për të shtuar cilësinë në ekip për pjesën pranverore.

"Diferenca e pikëve në kampionat është e konsiderueshme dhe shumë e vështirë që të rikuperohet. Kjo edhe është arsyeja që tash do të shikojmë vetëm kah kupa".

Në garat evropiane dalin vetëm dy skuadra, kampioni dhe fituesi i kupës, andaj skuadrat gjithnjë e më shumë po i japin rëndësi Kupës.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).