Plot 55 garues morën pjesë në Kampionatin e Kosovës në golf, që u mbajt të premten në Gjermani. Organizimi u vlerësua shembullor, ndërsa gara ishte interesante. Në fund fituan Mërgim Gjinovci dhe Sabrina Hoxhaj. Kampionati mbahet në Gjermani, në mungesë të fushës së golfit në Kosovë. Pjesëmarrësit ishin nga vende të ndryshme evropiane
Kishin mbetur pak minuta para se në mëngjesin e së premtes të niste ceremonia hapëse e kampionatit të Kosovës në golf. Kohën para se të bëhej hapja e kampionatit, pjesëmarrësit po e shfrytëzonin për fotografi individuale në mes të flamurit të Kosovës dhe atij të Federatës së Golfit të Kosovës.
Pak metra tutje qëndronte organizatori i kampionatit, Lavdim Zylfiu, që po përkujdesej për detajet e fundit. Zylfiu i pyeste rregullisht anëtarët e tjerë të Federatës nëse gjithçka ishte në rregull.
Pasi çdo gjë ishte gati, Zylfiu njoftoi se është koha për t’u rreshtuar para flamurit të Kosovës.

Ceremonia hapëse e kampionatit të tretë shtetëror të Kosovës, që u mbajt të premten në “Heitlinger Golf Resort” në qytetin Oestringen të Gjermanisë, nisi me intonimin e himnit të Kosovës, për të vazhduar me himnin e Federatës së Golfit të Kosovës. Federata e golfit mburret se është e vetmja federatë sportive në Kosovë që ka himn të saj.
Pas një gare të gjatë dhe interesante, titullin e kampionit të Kosovës në golf e fitoi Mërgim Gjinovci. Ndërkohë Sabrina Hoxhaj mbrojti titullin e kampiones.
Pati shumë aktivitet deri në shpalljen e kampionëve.
Me të përfunduar ceremonia hapëse, 55 lojtarët pjesëmarrës për disa minuta bënë ngrohjen para se të nisnin garimin. Gjuajtjen e parë, siç e do tradita, e bëri kampioni i vitit të kaluar, Azer Bislimaj. Gjuajta e fundit u bë pas rreth shtatë orësh lojë në qendrën e bukur të golfit të shtrirë në rreth 80 hektarë.
“Jam shumë i kënaqur, ishte një kampionat pak më i madh se vitin e kaluar. Si zakonisht është shumë sfidues organizimi i tij, por gjithnjë bashkimi bën fuqinë. Është një konsolidim i jashtëzakonshëm i lojtareve dhe lojtarëve të Kosovës gjithandej. Ky vend na grumbullon çdo vit. Është hera e katërt, por kampionati i tretë zyrtar, dhe do të njihen rezultatet botërisht”, ka thënë Zylfiu.
Urimet për njëri-tjetrin
Garuesit ishin të ndarë në tri kategori të ndryshme. Loja nisi me grupin e parë. Të parët që nisën garën ishin Azer Bislimaj, Mërgim Gjinovci dhe Erëblina Arifi. Gjuajta e secilit garues u përcoll me duartrokitje. Nuk mungonin nga secili garues edhe urimet për lojë të suksesshme. Rrugën rreth fushës të golfit shumë garues e bënin në këmbë, ndërsa një pjesë edhe me vetura të golfit.
Qendra ishte në vend malor. Kishte prej garuesve që thoshin se është i papërballueshëm për ta përfunduar në këmbë. Mosha e tyre ishte nga më të ndryshmet, por asnjëri prej tyre nuk ankohej.

Të gjithë garuesit ishin të kënaqur me organizimin e garës. Kishte vetëm fjalë të mira për organizimin që Federata e Golfit e Kosovës e ka bërë dhe për planifikimin që prej arritjes së garuesve e deri në përfundim të garës.
Garën e përfundoi edhe organizatori Lavdim Zylfiu.
“Provova ta bëja maksimumin, ndonëse është e vështirë të luash dhe njëkohësisht të përkujdesesh për organizimin. E rëndësishme është që edhe motin e kishim në anën tonë. Uroj vitin e ardhshëm të kemi edhe udhëheqës të KOK-u, MKRS-së dhe nga Ministria e Jashtme, pasi këtu është ajka e mërgatës së Kosovës. Ky është një ambient i cili i mungon Kosovës, por që shpresojmë që në pesë vjetët e ardhshëm të kemi një ambient si ky edhe në Kosovë që ta mbajmë kampionatin në Kosovë, ku do të na bashkoheshin të rinj dhe të reja me banim në Kosovë”, ka theksuar Zylfiu.
Pjesëmarrësit nisën grumbullimin të mërkurën, ndërsa disa u bashkuan të enjten.
Fusha e menaxhuar nga familja shqiptare
Qëndrimi i disa garuesve u bë në hotelin e familjes Shala në Eppingen. Një ditë para se të mbahej kampionati, në restorantin e menaxhuar nga familja Shala, nga Rogova e Pejës, u organizua darka me gjithë pjesëmarrësit. Diskutimi gjatë darkës ishte loja e golfit.
“Brenda vitit janë 360 ditë punë për këto pesë ditë që i shijojmë këtu, sidomos në ditën kur mbahet kampionati, ndërsa në tërësi i bëj 14 vjet punë për të ardhur deri te ky moment”, tregon Zylfiu.
Zylfiu ishte një prej katër garuesve që kishin udhëtuar nga Kosova për të marrë pjesë në kampionat, ndërsa pjesa tjetër e 55 garuesve ishin shqiptarë nga Kroacia, Austria, Gjermania, Holanda, Franca, Anglia, Zvicra, Suedia dhe Norvegjia. Shumë prej pjesëmarrësve kanë edhe klube të tyre në vendet evropiane.
Zylfiu thotë se synimi është që numri i pjesëmarrësve të rritet edhe më shumë vitin tjetër.
“Synimi jonë është pa dyshim t’i kemi 100 pjesëmarrës nga Kosova, sepse garat madhështore janë të tilla, me numër treshifror të pjesëmarrësve. Kjo është ende ëndërr e imja. Ende nuk kam hequr dorë dhe besoj se do të arrihet, mbase jo në kohën që kam shpresuar, por nuk do të ndalem derisa të arrihet ky numër, qoftë këtu apo në një ambient tjetër. Kam besim që vitin e ardhshëm do të na vijnë edhe garues nga SHBA-ja, ku është numri më i madh i golfistëve. Por cilësia është në Evropë”, është shprehur Zylfiu.
Zylfiu pret që brenda pak vjetësh, Federata ta bëjë organizimin e kampionatit në Kosovë. Edhe menaxheri i “Heitlinger Golf Resort” uron që Kosova të jetë organizatore e kampionatit të saj. Është Arif Arifi nga Kosova që e menaxhon këtë qendër madhore të golfit në Gjermani. Ai tregon për mënyrën se si drejtohet një fushë gjigante e golfit.
“Një fushë i ka diku afërsisht deri 70-80 hektarë sipërfaqe dhe duhet mirëmbajtur. Makinat janë specifike, pasi niveli duhet të jetë i mirë. Është e mundshme të bëhet një qendër e golfit edhe në Kosovë. Kosova ka vende të bukura dhe mund ta krijojë me të gjitha mjetet, nevojitet vetëm të gjendet vendi i përshtatshëm dhe urojmë që në një të ardhme të shkurtër ta ketë edhe Kosova një të tillë. Këtë organizim uroj në një të ardhme të afërt ta kemi në Kosovë”, ka thënë Arifi.
Ai tregon se me golf merret më shumë se dy dekada. Arifi nuk është i vetmi i familjes që merret me golf. Golfistë i ka edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Synimi – kampionati të mbahet në Kosovë
Kryetari i Federatës së Golfit të Kosovës, Blerim Sejdiu, pret që shteti t’i gjejë një parcelë për ndërtimin e fushës së golfit në Kosovë. Përfitimet thotë se janë të mëdha.
“Deri tash mbështetje nuk kemi pasur. Presim mbështetje më të madhe sidomos për vend, ku na duhet një parcelë 70-80 hektarë për të ndërtuar një fushë të golfit. Investitorë nga mërgata kemi të interesuar, por pa e siguruar vendin nuk mund të lëvizim asgjë. Presim mbështetjen e institucioneve”, është shprehur Sejdiu.
Sejdiu është i kënaqur që golfistët më të mirë nga Kosova po arrijnë të marrin pjesë çdo vit në kampionatin që mbahet në Gjermani.
Para se të niste ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për fituesit, Zylfiu tregoi për vënien e kontakteve të para me secilin prej pjesëmarrësve.
E kënaqur me gjithë organizimin është edhe kampionia, tashmë e dyfishtë, Sabrina Hoxhaj.
“Jam shumë e kënaqur me çmimin dhe organizimin që ka qenë shumë i mirë. Gjithçka ka qenë shumë mirë”, ka thënë Hoxhaj.
I lumtur për suksesin është ndarë edhe Mërgim Gjinovci. Ai thuri lavde për organizim të mirë nga Lavdim Zylfiu dhe anëtarët e tjerë të Federatës.
“Gjithë raundin e kreva me 75 pikë. Ka qenë mirë për mua, por ndoshta vitin tjetër pak më mirë. Organizimi shumë i mirë, e përgëzoj Lavdimin me gjithçka. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme në Federatë. Uroj që vitin tjetër të ketë më shumë lojtarë”, ka thënë Gjinovci.
Federata e Golfit e Kosovës ndau edhe mirënjohje të tjera për pjesëmarrësit e Kampionatit të tretë. U tha se synimi është që golfi si sport të shtrihet në gjithë Kosovën në një të ardhme të afërt.
Në fundjavë garuesit u kthyen në vendet e tyre. Për shumicën prej tyre e rëndësishme ishte mbledhja në një vend dhe kalimi i disa ditëve me njerëz të suksesshëm, të cilët i bashkojnë Kosova e golfi. Të gjithë premtuan se do të mblidhen edhe vitin tjetër, ndërsa shpresa e të gjithëve është që pas disa vjetësh një tubim të tillë ta bëjnë në ndonjë pjesë të Kosovës.