Kryetari i Federatës së Golfit të Kosovës, Lavdim Zylfiu, ka zbuluar shumë detaje para kampionatit të Kosovës në golf që do të mbahet në Gjermani. Ai ka njoftuar se në kampionatin e tretë shtetëror do të marrin pjesë 55 lojtarë të golfit nga dhjetë shtete të ndryshme, përfshirë edhe pesë lojtare. Zylfiu në konferencën për media ka zbuluar se Federata kosovare ka aplikuar për anëtarësim në Federatën Evropiane të Golfit.
“Kampionati i tretë shtetëror i Kosovës do të mbahet në Gjermani ku do të marrin pjesë 55 lojtarë të golfit që do të udhëtojnë nga dhjetë shtete të ndryshme të botës dhe në këtë kampionat do t’i kemi pesë lojtare të nivelit të lartë. Do t’i paraprijë anëtarësimit në EGA, që është organizata kulminante e golfit në kontinentin e vjetër. Ne si federatë zyrtarisht kemi aplikuar për t’u anëtarësuar në EGA. Pas 60 ditësh pritet të mbahet kongresi i madh i EGA-s në Lozanë të Zvicrës. Jemi optimistë që Kosova me shumicë të votave do të behët anëtarja më e ri e Federatës Evropiane të Golfit”, ka thënë Zylfiu.
Kampionati i Kosovës do të mbahet në Gjermani më 30 shtator, ndërsa Zylfiu ka njoftuar se gjatë kampionatit do të intonohet edhe himni i Federatës së Golfit të Kosovës.
“Për herë të parë do të intonohet himni i Federatës ë Golfit të Kosovës më 30 shtator, ku do të keni rastin ta dëgjoni pas kampionatit. Përveç himnit të Kosovës, reprezentuesit e Kosovës do të paraqiten për herë të parë me uniformë të Kosovës, uniformë me të cilën nga viti i ardhshëm do të paraqitemi edhe në gara, fillimisht me kundërshtarë nga rajoni e më pas edhe me shtete evropiane”, ka shtuar Zylfiu.
Ai insiston se për shumë do të jetë befasi e mirë paraqitja e lojtarëve të golfit.
“Ne jemi të fokusuar maksimalisht që ta tregojmë një kualitet të lojës që kampionati i Kosovës të prodhoj nivel sa më të mirë. Në golf garon me vetveten e jo me dikë tjetër. Na intereson kualiteti përballë shteteve tjera, pasi kemi një atmosferë të jashtëzakonshme. Nga viti i ardhshëm MKRS-ja ta ketë parasysh që golfi të mos shihet vetëm si sport, pasi e tejkalon sportin, pasi i ka kaluar kufijtë qysh moti”, ka theksuar ai.
Edhe
FIFA për Kosovën: Dhjetë vjet rritje në skenën globale
Zylfiu thotë se synim e kanë edhe ndërtimin e një fushe të kategorisë së tretë që plotëson nevojat e Kosovës. Por, për ta ndërtuar fushën pret ndihmën e qeverisë.
“Mendojmë se edhe qeveria e Kosovës në një periudhë të afërt të mendoj të ndërtoj një fushë të golfit në Kosovë, pasi përmes një fushe jam optimist se së paku tri fabrika do të ndërtohen çdo vit, pasi vet golfi si sporti është i krijuar i tillë që në gjirin e vet ngërthen fytyra të jashtëzakonshme, jo vetëm biznesit, por edhe politikës dhe ‘showbizit’ dhe strukturave tjera shtetërorë që në terminologjinë bashkëkohore kualifikohen si struktura elitare të cilësdo shoqëri”, ka thënë Zylfiu.
Federata e Golfit e Kosovës është themeluar në vitin 2018, ndërsa vitin e kaluar ka marrë licencë nga MKRS-ja. Pritjet janë të bëhet ndër federatat më të organizuara në vend.