Golfisti Azer Bislimaj është i vendosur për ta mbrojtur titullin e kampionit që e fitoi vitin e shkuar në Kampionatin e Kosovës. Bislimaj, i cili jeton në Gjermani, është tërësisht i përgatitur për kampionatin e tretë, i cili do të startojë të premten. Sikurse dy kampionatet e mëparshme, edhe kampionati i këtij viti nuk do të mbahet në Kosovë por në Gjermani, saktësisht në “Heitlinger Golf Resort” në periferi të Stuttgartit.
Bislimaj, që shihet favoriti më i madh në mesin e 55 lojtarëve, ka pranuar se muajt e fundit është stërvitur intensivisht për të qenë në formë sa më të mirë për kampionatin e Kosovës në golf.
“Në gjashtë muajt e fundit kam ushtruar dhe kam luajtur golf katër deri në pesë herë në javë, por jo vetëm në fushën ku jam anëtar. Gjithashtu kam udhëtuar edhe në shtete tjera dhe kam vizituar fusha tjera të golfit për të kërkuar sfida edhe më të mëdha për ta mbajtur formën fizike. Zakonisht nuk e përdor makinën e golfit, por preferoj ecjen për ta shijuar ambientin që e ofron fusha e golfit ku luaj”, ka thënë Bislimaj, që ka pranuar se nuk ka qenë e lehtë për ta mbajtur formën. “Sinqerisht nuk është e lehtë, duke shtuar obligimet familjare së bashku me obligimet e punës, është shumë e vështirë. Megjithatë zgjohem herët dhe kam një përkushtim të dedikuar për të avancuar sa më shumë në golf”.
Sipas Bislimajt, në kampionatin e tretë cilësia e pjesëmarrësve është në nivel. Ai thotë se golfi po përmirësohet dita-ditës në Kosovë, falë punës së madhe që po e bën Federata e cila është themeluar në vitin 2018.
“Duke pasur parasysh kushtet në të cilat funksionon federata, mendoj se është një organizim shumë i mirë i kampionatit shtetëror. Numri i pjesëmarrësve është i madh dhe besoj se ka një konkurrencë të fortë”, është shprehur Bislimaj. “Mendoj se kemi kualitet goxha të mirë, sidomos në krahasim me shtetet rajonale të Kosovës. Kualiteti i Federatës sonë po përmirësohet nga viti në vit dhe kjo është me
rëndësi të veçantë”.
Ai thotë se është përgatitur për ta mbrojtur titullin e kampionit dhe shpreson të jetë në formën e tij më të mirë. Pranon se synimi është për ta fituar titullin e dytë rresht.
“Mendoj se jam përgatitur mjaft shumë, por golfi jo rrallëherë është me formën e ditës dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do ta jap maksimumin tim që të shpallem kampion për herën e dytë rresht, por edhe garuesve të tjerë u dëshiroj suksese. Është kënaqësi e madhe të jem në një ambient të fushës së golfit ku marrin pjesë mbi 50 shqiptarë”, u shpreh Bislimaj, i cili me padurim pret pranimin e Federatës së Kosovës në Federatën Evropiane të Golfit (EGA), në mënyrë që vitin e ardhshëm ta përfaqësojë në kampionate të rëndësishme.
“Natyrisht se kur të luaj për Kosovën në përballje me shtetet e tjera duhet të jem në maksimumin tim. Dua të jap gjithçka nga vetja se është nder ta përfaqësosh vendin tënd”, u shpreh Bislimaj.