Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kampionati Botëror në skijim alpin mund të shtyhet për një vit

Federata e Italisë e Sporteve Dimërore (FISI) do të kërkojë që Kampionati Botëror i skijimit alpin i paraparë të mbahet në vitin 2021 në Cortina d’Ampezzo të shtyhet për një vit, për shkak të paqartësive të lidhura me koronavirusin.

Në rast se pranohet kërkesa për të shtyrë ngjarjen për në mars të vitit 2022, atëherë Botërori do të mbahet një muaj pas Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë.

“Ne kemi punuar për këtë me vite...por presidenti i FISI-t, Flavio Roda, do t’ia bëjë këtë kërkesë Federatës Ndërkombëtare të Skijimit që Kampionati Botëror të shtyhet nga shkurti i vitit 2021 për në mars të vitit 2022”, ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik të Italisë (CONI), Giovanni Malagao, në një intervistë për “RAI”.

Malago ka thënë se Ministria e Sportit e Italisë është informuar për këtë vendim.

Italia ka qenë një nga vendet që është goditur më së rëndi nga pandemia COVID-19, ku kanë humbur jetën gati 32.800 persona dhe janë afro 230 mijë raste.

Cortina është paraparë të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026.