Japonezi Daichi Kamada mund të konsiderohet futbollist i skuadrës së Lazios, ka njoftuar “Sky Sport Italia”. Mesfushori ofensiv tashmë ka firmosur kontratë me ekipin italian dhe do të prezantohet gjatë ditëve në vijim.
Kamada me Lazion ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për vitin e tretë dhe do të ketë pagë vjetore prej 4 milionë eurosh.
Ai te Lazio është transferuar si lojtar i lirë, pasi muajin e shkuar i ka skaduar kontrata me Eintracht Frankfurtin.
Në fakt, Kamada kishte marrëveshje me Milanin, por ajo u prish për shkak të largimit të Paolo Maldinit nga posti i drejtorit tek ekipi italian.
27-vjeçari prej vitit 2019 ka luajtur në Bundesligë, ndërsa edicionin e fundit pati 16 gola e 7 asistime në të gjitha garat.