Skuadrës së Juventusit i është mbyllur një pjesë e stadiumit për ndeshjen e radhës që e luan në shtëpi në kuadër të Kupës së Italisë, pasi disa tifozë të ekipit nga Torino bënë thirrje raciste ndaj sulmuesit të Interit, Romelu Lukaku.
Lukaku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për provokimin e tifozëve të Juventusit pasi realizoi nga penalltia për t’i siguruar Interit barazimin 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë që u zhvillua të martën.
Lukaku u pezullua për ndeshjen e kthimit që luhet më 26 prill. Gjesti i Lukakut tërboi skuadrën kundërshtare dhe ndeshja përfundoi me një përleshje mes dy ekipeve, ku u përjashtuan Juan Cuadrado i Juventusit dhe portieri i Interit, Samir Handanoviq.
Cuadrado u pezullua për tri ndeshje, ndërsa Handanoviq me vetëm një ndeshje. Po ashtu, lojtarët morën edhe nga një gjobë në vlerë prej 10 mijë eurosh. Një pjesë e skajit jugor të “Allianz Stadium” do të mbyllet për ndeshjen e parë në shtëpi të Juventusit në Kupën e Italisë sezonin e ardhshëm.