Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Historia e racizmit vazhdon të përsëritet në futbollin italian

Romelu Lukaku tha të mërkurën se historia po përsëritej në futbollin italian, pasi sulmuesi i Interit iu nënshtrua thirrjeve raciste nga tifozët e Juventusit gjatë duelit të stuhishëm ndërmjet dy skuadrave në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Lukaku shënoi nga penalltia në kohën shtesë dhe i siguroi Interit një barazim 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, ndeshje kjo që përfundoi me tre lojtarë të përjashtuar pas përfundimit të saj si pasojë e përleshjes. Një nga ata kartonët e kuq ishte për Lukakun, i cili u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për festimin e tij para tifozëve të Juventusit. Sulmuesi i Belgjikës mbajti gishtin te goja dhe u tha tifozëve të Juventusit që të “heshtnin”.

“Historia përsëritet. E kam kaluar në 2019... dhe 2023 përsëri...”, shkroi Lukaku në Instagram duke kujtuar racizmin që e kishte përjetuar nga tifozët e Cagliarit.

Fillimisht nuk ishte e qartë se ai ishte abuzuar pasi as trajneri i Interit, Simone Inzaghi, e as homologu i tij te Juventusi, Massimiliano Allegri, nuk përmendën thirrjet raciste gjatë diskutimit të një grindjeje pas ndeshjes, e cila çoi në përjashtimin e Samir Handanoviqit dhe Juan Cuadrados. Megjithatë, Michael Yormark, presidenti i agjencisë “Roc Nation Sports International”, që përfaqëson Lukakun, kërkoi nga Juventusi që t’i kërkonte falje klientit të tij për fyerjet raciste që sulmuesi i mori “para, gjatë dhe pas penalltisë”.

“Autoritetet italiane duhet ta përdorin këtë mundësi për të luftuar racizmin, në vend që të ndëshkojnë viktimën e abuzimit”, tha Yormark.

Juventusi tha se tashmë po punon me policinë për të “identifikuar përgjegjësit”, ndërsa Serie A me anë të një komunikate dënoi “të gjitha rastet e racizmit” pas një fundjave tjetër që përmbante thirrje fyese nga tifozët.

“Disa persona në tribuna nuk mund ta prishin shfaqjen e futbollit dhe ata nuk përfaqësojnë mendimet e të gjithë tifozëve”, shkroi liga italiane.

Edhe Fyerje të tjera raciste ndaj sulmuesit të Interit Sport Fyerje të tjera raciste ndaj sulmuesit të Interit

Incidenti në futbollin italian nisi kur Lazios iu suspendua njëra pjesë e tribunës për vetëm një ndeshje për thirrjet raciste gjatë derbit ndaj Romës muajin e kaluar. Dënimi u pezullua për shkak të përpjekjeve të Lazios në identifikimin dhe ndalimin e fajtorëve, duke përfshirë një që mbante një fanellë me emrin “Hitlerson” dhe numrin 88.

Rivali i Lazios, Roma, u gjobit gjithashtu me 8,000 euro për tifozët e saj që abuzuan në mënyrë raciste trajnerin e Sampdorias, Dejan Stankoviq të dielën. Ish-mesfushori i Lazios dhe Interit, Stankoviq u vu në shënjestër me thirrjet duke e quajtur atë “cigan” derisa trajneri i Romës Jose Mourinho kërkoi që ata të ndalonin - veprime që e shpëtuan Romën nga një gjobë më e ashpër. Në fushë, Serie A ka qenë më emocionuese së fundmi, me klubet si Interi e Milani, që rikthehen duke fituar tituj përpara stadiumeve të mbushura, si dhe lideri Napoli që po luan futbollin më të mirë në Evropë.

Por ka pasur gjithashtu një seri episodesh të errëta, në të cilat janë përfshirë tifozët. Tifozët e Napolit dhe Romës u ndaluan të udhëtonin për dy muaj pas një përleshjeje masive që pengoi trafikun në një autostradë. Ndërkohë, tifozët e Napolit u përleshën mes vete të dielën mbrëma, ndërsa ekipi i tyre u mposht nga Milani 4:0.