Skuadra e Juventusit do të jetë pa sulmuesin e krahut, Federico Chiesan në ndeshjen kampionale kundër Napolit që e luan të shtunën (18:00) në kuadër të xhiros së tretë në Serie A.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nga mediumet italiane. Chiesa nuk do të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të dëmtimit në muskulin e këmbës, të cilin e pësoi gjatë grumbullimit me Italinë.
Shkaku i këtij lëndimi, Chiesa i mungoi Italisë në fitoren 5:0 ndaj Lituanisë të mërkurën mbrëma në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Krahas Chiesas, në dyshim për duelin ndaj Napolit, janë edhe Paulo Dybala, Alex Sandro e Danilo që ende nuk janë kthyer nga grumbullimi me përfaqësueset.
Pas dy xhirove të luajtura këtë sezon në Serie A, Juventusi ka tubuar vetëm një pikë.