E ardhmja e Ardon Jasharit po vlerësohet e ndritur. Mesfushori shqiptar është vetëm 19-vjeçar, ndërsa tashmë është yll i Luzernit, skuadrës së Superligës së Zvicrës.
Luzerni mbeti në Superligë pasi kaloi Schaffhausenin në barazh. Dhe meritor për këtë vlerësohet pikërisht Jashari. Ai shihet si zbulim i madh i trajnerit Mario Frick.
“Dëshira ime më e madhe është që ai të vazhdoi të luajë për ne në edicionin e ardhshëm”, ka thënë Frick pas fitores 2:0 ndaj Schaffhausenit, të dielën.
“Karriera e tij është e pandalshme. Ai do të luajë në top-5 ligat më së voni në edicionin pas këtij që po vjen”, ka shtuar Frick për Jasharin.
Ardon kush?, ka pyetur gazeta e madhe zvicerane “20min.ch”. Dhe më pas ka shpjeguar rritjen e jashtëzakonshme të shqiptarit.
Edhe
Ardon Jashari thotë se është “pak i zhgënjyer”
Kur Frick mori Luzernin, që ishte i fundit në tabelë, njërin prej veprimeve të para e bëri, duke përfshirë në ekip kapitenin e skuadrës U21. Ai luajti në qendër të mesfushës ndaj Baselit dhe nuk e lëshoi më atë pozitë. Ka luajtur në 19 prej 20 ndeshjeve të mundshme në pjesën e dytë të edicionit. Ka munguar një ndeshje për shkak të kartonëve.
Mesfushori ishte në fushë për 90 minuta në dy ndeshjet e barazhit. Në ndeshjen e parë Jashari shënoi gol të ëndrrave. Ndërsa në ndeshjen e dytë nisi aksionin që rezultoi me penallti për Luzernin, duke dhënë pasim maestral nga 30 metra. Vitin e kaluar luante në kategorinë e tretë, por lojtari i rritur te Luzerni është bërë hero i skuadrës brenda pak muajve.
“Nuk ka qenë kurrë problem për mua që të luaj papritur me profesionistët”, thotë 19-vjeçari. “Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar vazhdimisht”.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në Federatën e Futbollit të Zvicrës. Ai debutoi për U21 të Zvicrës më 25 mars. Më herët nuk ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës.
Edhe
Yakinit i vjen keq që nuk po mund ta aktivizoj Jasharin
Por Jashari nuk është te Shpresat e Zvicrës për ndeshjet e qershorit. Ai ishte i fokusuar te Luzerni për ndeshjet e barazhit. Po ashtu, ka disa provime përfundimtare javën tjetër. Mund të jetë kjo një shenjë që dy përfaqësueset shqiptare, Shqipëria e Kosova të nisin fushatë për ta bindur Jasharin që të luaj për to.
Nëse parashikimi i trajnerit të Luzernit del i saktë, Jashari shumë shpejt mund të ftohet te Zvicra A.