Ardon Jashari (22) është dashur të jetë i durueshëm në klubin e ri për saktësisht dy muaj. Në nëntë ndeshjet e para në ligë, ish-lojtari i Luzernit ishte në përbërjen bazë vetëm dy herë. E shikoi nga banka ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmundit.
Prej atëherë, Ardon Jashari është bërë i rregullt te kampioni në fuqi i Belgjikës, Club Brugge, shkruan gazeta zvicerane “Blick”. Ka startuar vazhdimisht në Ligën e Kampionëve dhe në ndeshjet në ligë. Ka shpërblyer besimin me paraqitjet e mira në fushën e lojës.
Pasi shënoi golin e parë për Bruggen në një fitore 7:0, Jashari shtoi edhe golin e dytë, të martën në ndeshjen për Kupë.
Brugge kishte ndeshje të vështirë në një të tetën e finales me skuadrën e kategorisë së dytë me emër të veçantë, Patro Eisden Maasmechelen. Në pushim, rezultati ishte 1:1. Jashari hyri në lojë në fazë të vonshme të ndeshjes, kur rezultati ishte 2:1. Dhe më pas shënoi golin e tretë për gjigantin belg.
Kështu ai vetëm ka konfrimuar rritjen e muajve të fundit.
“Tifozët e futbollit në Zvicër mund të jenë të lumtur që Jashari po bëhet gjithnjë e më i mirë në Brugge”, ka shkruar “Blick”.
Në një intervistë që kishte dhënë në fillim të muajit, mesfushori kreativ kishte folur për rrënjët e tij.
“Unë jam rritur në Zvicër, por ndihem 100 për qind shqiptar”, ka thënë Jashari në një intervistë të gjatë për “Het Laatste Nieuws”.
“Karakteri im është shqiptar, në shtëpi ne jemi shqiptarë. Bëjmë gjëra që i bëjnë fëmijët zviceranë, por ...”.
Jashari herët ka shfaqur talentin e tij. Kishte insistuar për largim nga Luzerni, ku u bë kapiten në moshë të re. Më në fund u largua në verë, ndërsa Luzerni përfitoi rreth 6 milionë euro.
“Në Zvicër vazhdimisht ka zhvillime rreth meje. Unë them gjëra dhe njerëzit ofendohen. Por unë nuk jam person që bëj probleme. Njerëzit thonë se jam arrogant. Kjo është mirë, por njerëzit që më njohin e dinë që jam person i mirë. Dikush që dëshiron të ndihmojë për gjithçka. Nëse nuk do të ishte kështu nuk do të bëhesha kapiten në moshën 19-vjeçare”, ka shtuar Jashari.
Ai tashmë llogaritet pjesë e Zvicrës A dhe shpejt pritet të jetë prej lojtarëve më të rëndësishëm në këtë përfaqësuese.