Futboll

“Ndihem 100 % shqiptar” – Ardon Jashari po shndërrohet shpejt në yll të madh të futbollit evropian

Ardon Jashari

Një vit më parë luante në ekip mesatar të Superligës zvicerane. Tani po kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane.

Ardon Jashari është prej lojtarëve të rinj më të vlerësuar në futbollin evropian. Dhe rritja e tij është e hatashme.

Në verën e kaluar la Luzernin dhe u bashkua me klubin belg, Club Brugge. Luzerni përfitoi gjashtë milionë euro nga shitja e kapitenit të skuadrës, që vlerësohej lart në moshë shumë të re. Te Luzerni ishin të vetëdijshëm që kanë “xhevahir” në duar dhe kanë insistuar që ta mbajnë sa më gjatë për të përfituar më shumë. Por Jashari ishte i vendosur për hapin tutje.

Te Club Brugge pati sfida vetëm në pak xhiro. Më pas u stabilizua në mesin e fushës dhe shkëlqeu thuajse në secilën ndeshje. I luajti plot 52 ndeshje, kryesisht në anën defanzive të mesfushës. I luajti ndër të tjera 11 ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe shkëlqeu në shumë prej tyre. Nuk vonoi shumë dhe Club Brugge i ofroi kontratë të re, të vlefshme deri në qershor të vitit 2029.

Por është thuajse e sigurt se Jashari nuk do të qëndrojë aq gjatë te Brugge e po ashtu në futbollin belg. Ligat e mëdha, një klub prej më të mëdhenjve në botë, duket të jetë destinacioni i ardhshëm i tashmë 22-vjeçarit.

Jashari të hënën u shpall futbollisti më i mirë i edicionit 2024/2025 në kampionatin belg. U shpall edhe futbollisti më i talentuar. Menjëherë të martën u raportua që Manchester City është i interesuar për futbollistin që tani vlerësohet 35 milionë euro, të paktën.

Është e qartë që Brugge do të përfitojë shumë nga Jashari, të cilin e bleu lirë nga klubi zviceran.

Finalisti i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germaini është tjetër klub shumë i interesuar për Jasharin.

“Parisi është qytet i bukur por asgjë më shumë për momentin”, u përgjigj Jashari në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve në futbollin belg kur u pyet për një kalim të mundshëm te PSG-ja. Ai ka përmendur që ka kontratë deri në vitin 2029. Por në të njëjtën kohë ka thënë se është shumë ambicioz.

“Ndeshja e fundit nuk ishte lamtumirë. Jam shumë i lumtur në Brugge, por në të njëjtën kohë jam shumë ambicioz. Nuk dihet kurrë se kur do të prezantohet projekti i duhur në futboll”, ka shtuar Jashari.

Borussia Dortmundi është tjetër klub që ka hyrë në garë për Jasharin. Bayer Leverkuseni po ashtu. Ka edhe plot klube tjera të top-ligave evropiane.

“Dua të luaj për klubet më të mira në botë dhe të garoj me më të mirët”, është i qartë Jashari.

I lindur në Cham të Zvicrës, Jashari është prej më të mirëve nga gjithë futbollistët shqiptarë. Ai ka prejardhjen nga Kumanova.

“Jam rritur në Zvicër, por ndihem 100 për qind shqiptar”, ka thënë Jashari jo shumë kohë më parë në një intervistë për një medium belg. “Karakteri im është shqiptar. Në shtëpi ne jemi shqiptarë. Bëjmë gjëra që bëjnë fëmijët zviceranë, por ...”.

Jashari vlerësohet e ardhmja e përfaqësueses së Zvicrës. Ai ka vetëm dy paraqitje për Zvicrën A Luajti pak në një ndeshje me Çekinë në Ligën e Kombeve më 27 shtator të vitit 2022. Atë vit u ftua në Botërorin në Katar. U aktivizua në fazën nokaut ndaj Portugalisë në humbjen 6:1, më 6 dhjetor 2022. Më nuk ka luajtur me Zvicrën A, por ishte lider i pakontestueshëm te Zvicra U21.

Së fundi nga Zvicra A ishte ftuar në nëntor të vitit të kaluar. Është ftuar edhe për dy miqësore të muajit të ardhshëm.

Jashari jo gjithnjë ka shfaqur shumë interesim që të grumbullohet me Zvicrën. Por mediat zvicerane tashmë shkruajnë se përfaqësuesja nuk e ka luksin që të humbë një lojtar si Ardoni.

“Historia nuk filloi mirë. Por është larg që të jetë e mbaruar. Duke filluar nga ndeshjet e qershorit, kundër Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jashari duhet të bëhet figurë qendrore. E ardhmja e përfaqësueses së Zvicrës varet nga kjo”, shkruan “Le Matin”.

Mediat zvicerane jo gjithnjë kanë pasur qasjen më pozitive ndaj Jasharit. Drejtuesit e përfaqësueses po ashtu. Por ai ka shikuar para dhe ka bërë zhvillimin e hovshëm. Ka arritur në pikën ku pos që kërkohet nga klubet më të mëdha në botë, të vlerësohet i domosdoshëm për Zvicrën.