Ardon Jashari është kthyer në skuadrën e Luzernit. Të dielën, Luzerni fitoi 2:1 ndaj Lausanne Ouchy, në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Zvicrës në futboll. Jashari kishte kërkuar të largohet për te Baseli, por Luzerni nuk e ka lëshuar. Për më tepër, ia mori shiritin e kapitenit. Ai nuk ishte grumbulluar në dy ndeshjet e kaluara zyrtare, ndërsa të dielën luajti prej fillimit të pjesës së dytë.
Ismajl Beka e Kemal Ademi startuan te Luzerni. Mbrojtësi Beka kompletoi ndeshjen dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Ademi luajti vetëm pjesën e parë, ndërsa zëvendësuesi i tij, Lars Villiger i realizoi të dy golat. Golin e fitores e shënoi me asistim të Jasharit.
Te Lausanne Ouchy startuan Lavdrim Hajrullahu, Mërgim Qarri, Valon Hamdiu e Liridon Mulaj. Luzerni ka një fitore e një barazim. Lausanne Ouchy pësoi humbjen e dytë.