Sport

Italia dhe Argjentina gati për “Finalissima”

Italia dhe Argjentina takohen të mërkurën mbrëma në ndeshjen që njihet ndryshe si “Finalissima”, në stadiumin “Wembley” në Londër prej orës 20:45. Kjo është ndeshje mes kampionit të Evropës dhe atij të Amerikës së Jugut.

Përfaqësuesja e Italisë, që triumfoi në “Euro 2020”, synon ta mposhtë Argjentinën për herë të parë që nga viti 1987. Për ekipin e përzgjedhësit Roberto Mancini, “Finalissima” është një mundësi e artë.

Në fakt dy përfaqësueset u takuan në çdo Kupë të Botës prej vitit 1974 deri në vitin 1990, me Argjentinën që asnjëherë nuk regjistroi fitore, por avancoi me larg se Italia në katër prej pesë rasteve. As Italia nuk ka mundur ta mposhtë Argjentinën në ato përballje.

Italia është në kërkim t’i japë fund serisë së saj më të gjatë negative, prej 35 vjetësh pa fitore, ndaj argjentinasve. Fitorja e fundit e Italisë kundër Argjentinës ishte në miqësoren e luajtur më 10 qershor të vitit 1987, të cilën italianët e fituan me rezultatin 3:1 në Zuerich. Prej atij viti dy përfaqësueset kanë pasur edhe pesë përballje, me Argjentinën që i ka fituar tri të fundit dhe dy të tjerat që kanë përfunduar baras.

Argjentinën në këtë ndeshje do ta udhëheqë Lionel Messi, i cili edhe mbetet lojtari i saj kryesor. Argjentina për duelin me Italinë është përgatitur në Bilbao të Spanjës. Argjentina triumfoi në Copa America, pasi e mposhti Brazilin në finale 1:0, kurse Italia ishte më e mirë se Anglia në finalen e Evropianit, pas penalltive.

Megjithatë, Italia nuk do të marrë pjesë në Botërorin “Katari 2022”, që nis në nëntor, pasi nuk arriti të kualifikohet. Për Italinë kjo është hera e dytë rresht që mungon në Botëror pasi mungoi edhe në turneun e mbajtur në Rusi në vitin 2018. Për dallim prej Italisë, Argjentina është pjesëmarrëse dhe llogaritet favorite për turneun e Katarit. Messi ka thënë se po të kualifikohej Italia në Botëror, atëherë padyshim se do të ishte favoritja më e madhe. Ai ka thënë se i vjen keq që italianët nuk do të jenë të pranishëm në këtë ngjarje.

“Është çmenduri që Italia e fitoi Evropianin dhe nuk do të jetë në Botëror. Italia është një ekip shumë i mirë dhe është mëkat që do të mungoj në këtë ngjarje të madhe. Duket se nuk kishin fat italianët”, tha Messi. “Sa i përket ‘Finalissima’, është një ndeshje interesante të cilën sigurisht se duam ta fitojmë për ta treguar forcën e ekipit tonë karshi skuadrave të Evropës. Po ashtu besoj se edhe atmosfera do të jetë shumë e mirë dhe neve do ta në shërbejë për t’u përgatitur sa më mirë për Botëror”.

Te Italia pas duelit me Argjentinën, do të përshëndetet nga futbolli ndërkombëtar qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini. 37-vjeçari ka debutuar me Italinë në vitin 2004 dhe deri më tani ka regjistruar 116 paraqitje.

“Është fantastike që do të përshëndetem nga Italia me këtë ndeshje. Argjentina ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Është e qartë se i pari që ju vjen në mendje është Messi, por të tjerët rreth tij janë fantastikë dhe ata nuk e fituan rastësisht Copa American”, është shprehur Chiellini. “Do të jetë një ndeshje e dy skuadrave të mëdha dhe është kënaqësi që ndeshjen e fundit me Italinë do ta luaj kundër Messit”, është shprehur Chiellini.

Kjo është “Finalissima” e tretë deri më tani mes kampionit të Evropës dhe atij të Amerikës së Jugut. Në vitin 1985, Franca e mposhti Uruguain. Kurse në vitin 1993, Argjentina triumfi ndaj Danimarkës.

Kjo përballje në të kaluarën ishte quajtur “Artemio Franchi Cup”, në nderim të administratorit të madh sportiv italian.