Istogu është fitues i Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll. Skuadra istogase të shtunën në finale e mposhti Prishtinën me rezultat 31:23.
Ndeshja finale është luajtur në palestrën e qytetit në Istog. Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa përfundoi me epërsi të vendaseve (14:11). Ndërkohë në pjesën e dytë kanë dominuar hendbollistet e skuadrës istogase që kanë rritur vazhdimisht epërsinë. Në fund rezultati ishte 31:23 në të mirë të Istogut.
Istogu në gjysmëfinale kishte kaluar Vushtrrinë, ndërsa Prishtina ishte më e mirë se Ferizaj.
Kapitenia Albina Rugova është shpallur lojtarja më e mirë te Istogu. Te Prishtina më e mira u shpall Aida Stagova.
Rugova e Esma Muratoviq udhëhoqën Istogun me nga 7 gola. Te Prishtina më efikasja ishte Melike Ipçi me 6 gola. Nga 5 i shënuan Ivana Bojoviq e Stagova.