Paraqitja e Rodney Purvisit ndaj Pejës, të enjten, mori vëmendjen edhe të yllit të NBA-së, John Wall. Për përcjellësit e tij të shumtë Wall ka paraqitur fotografinë e lojtarit të Trepçës dhe rezultatin e ndeshjes të luajtur në “Minatorin” e stërmbushur. Purvis më herët ka luajtur në NBA. Tani po synon titullin e kampionit të Kosovës me skuadrën mitrovicase
Dy javë pasi triumfoi në Kupën e Kosovës, Trepça e transferoi ish-lojtarin e NBA-së, Rodney Purvis. Përforcimin e ri Trepça e prezantoi si lojtar që do ta ndihmojë klubin për ta kthyer titullin e kampionit të Kosovës pas një dekade.
Purvis, i cili ishte pjesë e skuadrave të ligës më të fortë në botë, NBA – Orlando Magic, Oklahoma City Thunder e Boston Celtics gjatë vitit 2018 – duket se po e bën një gjë të tillë. Ai është më i merituari që Trepça po avancon 2:0 përballë Pejës në serinë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen e parë Purvis ishte më i dalluari te Trepça me 22 pikë. Ndërsa në të dytën, që u luajt të enjten mbrëma në Mitrovicë dhe u vendos pas dy vazhdimeve nga pesë minuta, amerikani shpërtheu. Në triumfin me shifrat 107:105, Purvis kontribuoi me 36 pikë, tetë kërcime e pesë asistime, paraqitje që i ra në sy edhe yllit të NBA-së, John Wall. Wall është pjesë e skuadrës Houston Rockets dhe të premten ka shpërndarë në “Instagramin” e tij një fotografi të Purvisit, ku ishte edhe rezultati i ndeshjes me Pejën dhe statistikat e tij, me mbishkrimin “Yessir” (Po zotëri).
“Mendoj se në përgjithësi ekipi pati një paraqitje fantastike. Nuk u dorëzuam për asnjë moment dhe po ashtu në këtë fitore na ndihmuan edhe tifozët tanë të flaktë”, tha Purvis të premten për KOHËN.
Te Trepça, Purvis po luan me mesatare mbi 18 pikë për ndeshje dhe është koshashënuesi më i mirë i ekipit, ndonëse ka pak më shumë se dy muaj prejse është bashkuar. Ai pranon se te Trepça ka ardhur për titullin e kampionit.
Përderisa Trepça po e kërkon titullin e parë pas dhjetë vjetësh, Purvis po e synon të parin në karrierë, gjatë së cilës ka luajtur edhe nëpër skuadrat e Evropës, si Hapoel Tel Aviv (Izrael), Pallacanestro Cantu (Itali), Bergamo Basket (Itali), Wilki Morskie Szczecin (Poloni) e Cherkaski Mavpy (Ukrainë). Të gjitha këto skuadra i ka ndërruar brenda një periudhe dyvjeçare.
“Po, përfundimisht synimi është ta fitoj titullin, pasi për këtë edhe kam ardhur. Nëse e fitojmë titullin, atëherë ky sukses do ta ndihmojë secilin lojtar në të ardhmen. Ky do të ishte titulli i parë për mua dhe do ta vlerësoja jashtëzakonisht shumë”, shtoi Purvis. “Sa i përket karrierës sime deri më tani, mund të them se ka qenë një udhëtim me ulje dhe ngritje. Kam qenë në disa ekipe për një periudhë të shkurtër për shkak se ka qenë vështirë të adaptohem në Evropë, që ishte një sfidë e vogël”.
Ai pranon se është stabilizuar te Trepça, ekip për të cilin ka pasur njohuri përpara se t’i bashkohej. Fillimisht ai kishte folur me trajnerin Lubomir Minchev, që e vlerëson shumë, ndërsa fjalët e amerikanit tjetër të Trepçës, Corban Collins, që e ka mik, përfundimisht e kanë bindur të vendoset në Mitrovicë. Ai zbulon se Collinsin e ka shok të fëmijërisë dhe janë rritur së bashku duke luajtur basketboll.
Purvis thotë se Zoti e ka sjellë te Trepça për një arsye të fortë.
Krahas Purvisit e Collinsit, Trepça në radhët e veta ka edhe tre amerikanë: Ty Cockfield, Andrew Gordon e Mike Edwards.
“Kur erdha këtu kam filluar t’i kuptoj gjërat më mirë sa i përket karrierës sime. Marrëdhënia fantastike që kam me trajnerin më duket se po luan rol të rëndësishëm në gjithë këtë. Ne bisedojmë shumë, dalim së bashku kur nuk kemi angazhime dhe kjo ka rëndësi të madhe për mua. Në fund të fundit mendoj se Zoti më ka vendosur këtu për një arsye, të cilën do ta shohin të gjithë më vonë”, u shpreh Purvis. “Kam pasur jashtëzakonisht shumë informata për Trepçën. Para se të vendosi t’i bashkohem, kam folur me trajnerin Minchev për qytetin dhe ligën dhe ai ishte shumë korrekt me mua në këtë aspekt. Por në momentin që kam folur me shokun tim, Corbanin, e kam ditur se do të jem pjesë e Trepçës. Me të jemi shokë prej kur ishim fëmijë”.
Kur flet për qytetin e Mitrovicës, Purvis 28-vjeçar thotë se po kalon shumë mirë. Insiston se të gjithë e kanë mirëpritur. Kohën më të madhe e kalon duke luajtur videolojëra dhe duke folur në “FaceTime”.
Basketbollisti amerikan është befasuar me përkrahjen e madhe të tifozëve, që në çdo ndeshje të Trepçës që e luan në shtëpi po e mbushin palestrën “Minatori” dhe po krijojnë atmosferë të zjarrtë.
“Me pëlqen shumë këtu në Mitrovicë. Qyteti, klubi dhe tifozët më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në të vërtetë tifozët më kanë befasuar me përkrahjen këtu dhe më duket pak a shumë sikur në kohën e kolegjit, vetëm se këtu janë më të zjarrtë”, theksoi Purvis. “Atmosfera në palestër është fantastike. Tifozët janë pasionantë dhe kjo e bën ndeshjen një kënaqësi të vërtetë. Po ashtu, bashkëbisedimi me tifozët është një kënaqësi e madhe për mua”.
Edhe për Superligën e Kosovës, Purvis ka fjalë të mira. Por thotë se mund të rritet edhe më shumë. Sipas tij, të gjitha top-ekipet janë të forta dhe po luftojnë, gjë që i bën edhe më interesant kampionatin dhe ndeshjet.
Trepçës i nevojitet vetëm edhe një fitore për të avancuar në finalen e plejofit. Seria e ndeshjeve gjysmëfinale tani do të bartet në Pejë dhe dueli i tretë mes këtyre dy ekipeve do të luhet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”. Purvis insiston se do të jetë gati edhe për këtë përballje.
“Krejt çka mund të bëjmë është që të përgatitemi edhe më mirë gjatë këtyre ditëve dhe të shkojmë atje të fitojmë. Kemi një ekip të mirë, një staf fantastik të trajnerëve që na përgatitin mirë. Kështu që do të shohim se çka do të ndodhë në duelin e tretë që është i rëndësishëm për dy ekipet”, pranoi Purvis.
Edhe në gjysmëfinalen tjetër, Golden Eagle Ylli është në epërsi 2:0 ndaj Sigal Prishtinës pas dy ndeshjeve të zhvilluara në Suharekë. Të shtunën prej orës 19:00 në kryeqytet do të luhet ndeshja e tretë e kësaj serie. Ylli është kampion në fuqi.