Sport

Derbi në “Karagaç”, përballen dy ekipet pa humbje

Amerikani Rodney Purvis po tregohet lider i Pejës në fillim të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll. Te Peja do të mbështeten në Purvisin edhe në ndeshjen derbi të xhiros së pestë, atë kundër skuadrës së Trepçës.

Këtë edicion, Purvis po luan me mesatare prej 22.8 pikëve për ndeshje dhe është më efikasi tek ekipi pejan.

Ndeshja në “Karagaçi” lë në hije të gjitha duelet e tjera të kësaj xhiroje, pasi përballen dy skuadrat që ende nuk dinë për humbje. Peja prin në tabelë me tetë pikë të tubuara, dy më shumë se Trepça që ka një ndeshje më pak të zhvilluara. Dueli Peja - Trepça luhet të dielën prej orës 17:00.

Purvis e njeh Trepçën pasi sezonin e shkuar ishte pjesë e ekipit nga Mitrovica. Ai iu bashkua Trepçës në pjesën e dytë të edicionit por nuk arriti ta ndihmojë në fitimin e titullit të kampionit. Trepça humbi nga Golden Eagle Ylli në finale të plejofit. Këtë edicion pjesë e Trepçës janë dy basketbollistët kryesorë që ndihmuan Yllin të shpallej kampion, Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq.

Të premten për KOHËN, Purvis tha se është gati për derbi dhe shtoi se synimi i Pejës është ta mposhtë Trepçën për ta shënuar edhe fitoren e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara. Purvis pret një derbi të vërtetë dhe atmosferë të zjarrtë në palestër.

“Në secilën ndeshje në futemi për të fituar, pavarësisht kundërshtarit që e kemi përballë. Kështu që njëjtë do të jetë edhe kundër Trepçës. Pres një ndeshje shumë të fortë pasi luajnë dy ekipe që nuk dinë për humbje dhe besoj se do të jetë interesante. Për mua është vetëm një ndeshje basketbolli dhe asgjë më shumë. Jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin”, tha Purvis, i cili vlerësoi Trepçën.

Edhe te Trepça motivi është i madh, sidomos pasi të enjten mbrëma e rrëmbeu trofeun e parë të këtij edicioni. Në Mitrovicë, Trepça e fitoi Superkupën Mbarëkombëtare duke e mposhtur në finale skuadrën e Tiranës me rezultatin bindës 92:52. Fundori i Trepçës, Amin Hot, thotë se nëse luajnë siç kanë luajtur deri më tani, atëherë rezultati pozitiv është i mundur në Pejë.

“Peja ka ekip të mirë dhe dëshmia më e mirë për këtë është se këtë edicion ende nuk di për humbje. Është një udhëtim shumë i vështirë për ne, pasi kemi luajtur edhe në Superkupën Mbarëkombëtare dhe duhet të përgatitemi dhe të pushojmë paksa. Jemi të motivuar për këtë ndeshje të fortë dhe nëse luajmë mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, siç kemi bërë deri më tani, besoj se mund të marrim një rezultat pozitiv”, është shprehur Hot.

Të dielën prej orës 19:00 do të luhet edhe një ndeshje tjetër. Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, që ende nuk di për fitore, e pret skuadrën e Vëllaznimit. Ylli është i fundit në tabelë me katër pikë, një më pak se Vëllaznimi që renditet i parafundit me tri humbje e një fitore deri më tani.

Xhiroja e pestë do të hapet të shtunën në kryeqytet me përballjen ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit. Kjo ndeshje nis në orën 17:00, ndërsa dy orë më vonë do të fillojë dueli ndërmjet Rahovecit dhe Ponte Prizrenit. Rahoveci është në një seri prej tri humbjeve rresht, ndërsa Ponte Prizreni dy ndeshjet e fundit, me Yllin dhe Bashkimin, i ka fituar.

Superliga – V

E shtunë

S. Prishtina – Bashkimi (17:00)

Rahoveci – P. Prizreni (19:00)

E diel

Peja – Trepça (17:00)

G.E. Ylli – Vëllaznimi (19:00)


1. Peja 4 8

2. Trepça 3 6

3. Bashkimi 4 6

4. P. Prizreni 4 6

5. S. Prishtina 3 5

6. Rahoveci 4 5

7. Vëllaznimi 4 5

8. G.E. Ylli 4 4