Oleh Luzhnyi ka kaluar katër vjet te Arsenali, duke fituar Premier Leaguen dhe Kupën FA, para se të transferohej te Wolvesi. Ish-mbrojtësi i Ukrainës ka thënë se situata në vein e tij është e tmerrshme. Luzhnyi ka treguar se do t’i lërë në pritje planet për karrierë trajneri në Britani të Madhe, për të qëndruar dhe për të luftuar në vendin e tij
Kiev, 27 shkurt (Sky Sports) – Të shtunën mbrëma mbështetja e jashtëzakonshme nga tribunat e stadiumit “Goodison Park” për futbollistët ukrainas Oleksandr Zinchenko dhe Vitaliy Mykolenko përloti të dy lojtarët.
Derisa skuadrat po largoheshin nga fusha pas përfundimit të ndeshjes, Zinchenko, mbrojtësi 25-vjeçar i Manchester Cityti, dha duartrokitje për tifozët në tribunën e mysafirëve, disa prej të cilëve mbanin flamuj ukrainas. Zinchenko e bëri këtë pas fitores 1:0 ndaj Evertonit, që e dërgoi skuadrën e tij më afër titullit të kampionit.
Në kohë normale, në një mbrëmje të së shtunës në qytetin e Lvivit në Ukrainën Perëndimore, Oleh Luzhnyi – futbollisti i parë i vendit që ka fituar Premier Leaguen – do të ulej para televizorit dhe do të shikonte ndeshje të Premer Leagues.
Luzhnyi është njëri prej futbollistëve më të dekoruar të Ukrainës. Kanë kaluar dy dekada prej kur Arsenali fitoi dopietën e dytë në periudhë pesëvjeçare. Skuadra e edicionit 2001/2 humbi vetëm tri ndeshje gjatë tërë asaj kampanje. Në mesin e mbrojtësve të atij edicioni ishte edhe Luzhnyi.
Ai ka fituar tetë tituj të kampionit me Dynamo Kievin në Bashkimin Sovjetik dhe të Ukrainës, pas shpalljet së pavarësisë së këtij vendi në vitin 1991. Luzhnyi ka luajtur rol vendimtar në dominimin e Dinamos në vitet ‘90 dhe u angazhua nga Arsene Wenger në vitin 1999. Ai, po ashtu, ka bërë 60 paraqitje ndërkombëtare, duke qenë kapiten i Ukrainës 37 herë. Ndeshja e parë e tij, për Bashkimin Sovjetik, erdhi në moshën 20-vjeçare. Vetëm një lëndim e la atë jashtë Botërorit 1990, që ishte turneu i fundit para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Edhe
Zinchenko i gatshëm të heqë dorë nga futbolli për t’iu bashkuar luftës
Vetëm dy muaj më parë Luzhnyi fliste me entuziazëm për planet e tij për kthim në Angli dhe rifillim të karrierës si trajner, që ka zgjatur tetë vjet. Ai ka pasur dy periudha si ndihmëstrajner te Dynamo e Kievit.
Të shtunën ai nuk kishte kohë për ta parë ndeshjen e Premier Leagues. Ai shumicën e kohës e ka kaluar duke udhëtuar nga shtëpia e tij për në njërën prej strehimoreve të shumta të improvizuara në qytetin e tij.
“Situata është e tmerrshme”, ka thënë ish-futbollisti për Sky Sports.
“Unë dua të vij dhe të punoj si trajner në Britani të Madhe, por më shumë se çdo gjë dua të qëndroj dhe të luftoj për popullin tim, për vendin tim dhe për demokracinë”, ka shtuar 53-vjeçari.
“Ne të gjithë e dimë se kjo do të përfundojë shpejt, pasi jetë të pafajshme po humben dhe familje po copëtohen. Për çka po shkatërrohet dhe po pushtohet një vend? Ne të gjithë duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe t’i japim fund kësaj lufte kriminale”.
Vetëm një javë më parë Lvivi vlerësohej vend i sigurt për refugjatë që iknin nga kryeqyteti i rrezikuar, Kievi. Shumë ukrainas mbërritën me tren dhe u vendosën në shtëpi të të afërmve apo gjetën shtëpi me qira. Ambasada amerikane vendosi zyrtarë të saj në qytet dhe Lvivi konsiderohej i sigurt, ndonëse kërcënimi për pushtimin rus ekzistonte. Por gjatë dy ditëve të fundit sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore janë bërë më të shpeshta dhe Ambasada e SHBA-së ka zhvendosur operacionet në Poloni.
Që nga fillimi i konfliktit me Rusinë, Luzhnyi është përpjekur të mbajë kontaktin me shokun e fëmijërisë, Simon Stakhiv, që jeton në Londër. Dy ukrainasit u takuan në Lviv në fund të viteve 1980, kur karriera e Luzhnyit ishte në zhvillim e sipër. Ai po bëhej gati për kalim nga SKA Karpaty Lviv për në Dynamo Kiev. Stakhiv u zhvendos në Londër në vitin 1997 për të punuar. Kur Luzhnyi iu bashkua Arsenalit dy vjet më vonë, miqësia e tyre u ringjall.
“Oleh më ka thënë se të gjithë janë në shok dhe të stresuar nga ajo që po ndodh”, thotë Stakhiv. “Është gjë e frikshme të detyrohesh të shkosh në strehimore dhe të kalosh natën atje. Ne jemi me fat këtu në Angli. E shohim qiellin e kaltër dhe kemi paqe, por është tregim tjetër kur duhet të jetosh me sirena dhe në luftë. Nga gjashtë në mbrëmje e deri në tetë në mëngjes askush nuk lejohet të lëvizë jashtë”.
Edhe
Luzhny e vlerëson vendim të lehtë rikthimin në Ukrainë
Luzhnyi po bëhet gati për t’u përfshirë në luftë.
“Të gjithë prej moshës 18 deri në moshën 60-vjeçare mund të thirren për të luftuar. Të gjithë janë të gatshëm për luftë. Njerëzit e duan Olehin kudo që paraqitet ai. Të rinjtë që nuk ishin të lindur kur ai luante, e ndalin në rrugë dhe e përshëndesin. Apo bëjnë fotografi me të. Ata e respektojnë shumë dhe kur ta shohin atë në këto ditë do të jenë më të fortë”, ka theksuar Stakhiv.