Legjenda e futbollit ukrainas, Andriy Shevchenko, ka pranuar në një intervistë të mërkurën se ka qarë kur “pa fëmijët që vraponin nëpër një fushë të mbushur me kratere raketash” në Irpin, një qytet jashtë Kievit, i cili u çlirua nga kontrolli rus raporton AFP. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2004, tha se ishte i tronditur nga vendosmëria e të rinjve për të luajtur futboll, pavarësisht masakrës rreth tyre. Shevchenko, 46 vjeç, djali i “një ushtaraku”, ishte aq i zemëruar me pushtimin rus në shkurt, sa ndjeu një dhimbje torturuese sa nuk mund të merrte as frymë.
“Unë nuk mund ta kuptoja faktin që bombat po bien dhe raketat po fluturojnë në qendër të Evropës demokratike tani. Ato fluturojnë drejt shtëpisë sime, drejt gjithçka që dua. Më duhej të vendosja se çfarë të bëja për ta ndihmuar vendin tim shpejt. Kam menduar për gjithçka që jam në gjendje dhe ku mund të jem më efektiv. Dhe, kuptova se duhet të përdor fuqinë e emrit tim, për të luftuar publikisht për Ukrainën”
Shevchenko, ndryshe nga disa yje të sportit ukrainas që morën armët, zgjodhi një rol ambasadori për të treguar gjendjen e vështirë të vendit të tij. Fituesi i Ligës së Kampionëve në vitin 2003 me Milanin dhe tenistja më e mirë, Elina Svitolina pranuan “menjëherë” një ftesë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t'u bërë ambasadorë të një bamirësie të quajtur “United24”. Ai u takua me presidentin në Kiev më 18 maj.
“Ishte hera e parë që erdha në Ukrainë që nga 24 shkurti, lufta kishte vazhduar për dy muaj e gjysmë, dhe trupat ruse sapo ishin tërhequr nga qyteti. Pashë një Kiev të zbrazët dhe megjithatë të paepur. Ishte një moment shumë emocionues për mua, si dhe takimi im me presidentin”, tha Shevchenko.
Bamirësia u nis nga Zelensky për të mbledhur donacione për të mbuluar nevojat më urgjente të Ukrainës: Mbrojtje dhe çminim, ndihmë mjekësore dhe për të rindërtuar vendin që është shkatërruar që kur Vladimir Putin filloi pushtimin. Shevchenko është fokusuar në mbledhjen e fondeve për ndihmë mjekësore dhe rindërtim.
Edhe
Klubet e Premier Leagues pajtohen t’i pranojnë në akademitë e tyre fëmijët nga Ukraina
“Ne jemi gati të shpallim projektin e parë këtë javë. Në total, në pesë muaj u mblodhën mbi 200 milionë dollarë dhe njerëz nga 110 vende u bashkuan. Mendoj se kam marrë vendimin e duhur”, insistoi ai.
Shevchenko, nëna dhe motra e të cilit ishin në gjendje të largoheshin nga Kievi rreth gjashtë javë pas pushtimit, tha se ai kurrë nuk pushoi së habituri me qëndrueshmërinë e bashkatdhetarëve të tij gjatë vizitave që i bënte në vendlindje.
“Njerëzit që takova në Borodianka, në një shtëpi të përkohshme të ndërtuar për 22 familje, tashmë e kanë rregulluar hapësirën e jetesës atje dhe na takuan me buzëqeshje në fytyrat e tyre. Pavarësisht se këta njerëz humbën gjithçka që kishin, ata vazhdojnë të shijojnë jetën e tyre”, u shpreh Sheva. “Dhe kjo është një tipar kaq tipik për ukrainasit. Të ngrihen nga errësira, duke kërkuar gjithmonë më të mirën në gjithçka dhe duke mbështetur njëri-tjetrin. Ukrainasit ngjallin jo vetëm simpati, por edhe admirim nga e gjithë bota”.
Ai thotë se i ka shumë borxh ish-klubit për mbështetjen e tij.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar se si u ndjeva kur Milani njoftoi se po lëshonte një fanellë speciale me numrin tim në mbështetje të Ukrainës”, tha ai.
Nga shitja e fanellës u mblodhën 200,000 euro, të cilat do të ndihmojnë në rindërtimin e një fushe futbolli për fëmijë në Irpin, të shkatërruar nga raketat ruse. Shevchenko, i cili gjithashtu është prekur nga “mbështetja e madhe dhe e vazhdueshme” nga sulmuesi polak i Barcelonës, Robert Lewandowski, tha se pavarësisht sukseseve të fundit të Ukrainës në fushën e betejës, atij iu kujtua vetëm javën e kaluar aftësia e Rusisë për të goditur.
“Një javë më parë, u largova nga Kievi me tren, në ditën kur sulmet më shkatërruese që nga 24 shkurti goditën Ukrainën. Rusia po sulmon përsëri civilët. Një shtëpi banimi është djegur në qendër të Kievit, një familje që priste një fëmijë u vra”, zbuloi Shevchenko
Edhe
Shevchenko nuk po shikon më futboll
Megjithatë, edhe në mes të humbjes së jetëve të pafajshme, Shevchenko pa diçka për ta inkurajuar atë.
“Mes gjithë këtij tmerri dhe dhimbjeje, pashë një foto të një shpëtimtari duke nxjerrë një kotele të vogël nga rrënojat”, deklaroi Shevchenko.