Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubet e Premier Leagues pajtohen t’i pranojnë në akademitë e tyre fëmijët nga Ukraina

Skuadrat nga Premier League e kanë rritur ndihmën e tyre për Ukrainën, me planin për të mirëpritur fëmijët refugjatë nëpër akademitë e tyre. Këtë e ka zbuluar ish-përzgjedhësi i Ukrainës, Andriy Shevchenko. Qëkur Rusia e sulmoi Ukrainën për ta pushtuar, më shumë se 1.3 milionë civilë janë larguar, kryesisht në Poloni dhe në Rumani. Ata u detyruan të linin gjithçka pas vetes, me shumë prej tyre që braktisën veturat për të ecur me orë të tëra vetëm të largohen nga zonat e luftës.

Ekipet elitare të Anglisë vazhdimisht kanë treguar përkrahje për Ukrainën, madje në ndeshjet e xhiros së 28-të, ato kanë treguar solidaritet edhe më të madh duke shfaqur sloganin “Futbolli qëndron së bashku” para fillimit të takimeve. Po ashtu, është mbajtur edhe një minutë duartrokitje për të fuqizuar edhe më shumë përkrahjen për Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë që ta ndalojë luftën.

E tani, futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Ukrainë, Shevchenko, ka zbuluar se plani i radhës është që fëmijëve ukrainas t’u sigurohet që të vazhdojnë të luajnë futboll pas largimit nga vendlindja e tyre. Ideja e Shevchenkos tashmë është përqafuar nga klubet e Premier Leagues, që janë pajtuar të mirëpresin fëmijët nëpër akademitë e tyre.

“Në Mbretërinë e Bashkuar, të gjitha klubet i janë përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme situatës në Ukrainë”, ka thënë Shevchenko të dielën për një televizion ukrainas. “Ato janë të gatshme t’i pranojnë fëmijët që largohen nga Ukraina që të stërviten në akademitë e klubeve të Premier Leagues. Tani jemi në fazën e finalizimit të dokumenteve dhe gjithçka do të zyrtarizohet shumë shpejt. Duhet të marrim leje, por ne po punojmë që ta bëjmë këtë sa më shpejt për shkak se nuk ka shumë kohë. Jam në kontakt edhe me Federatën e Futbollit të Anglisë, e cila ka garantuar hapjen e kampeve. Duhet bërë gjithçka në mënyrë që fëmijët, të cilët largohen nga qytetet e Ukrainës, të mund të stërviten ose në territorin e Ukrainës perëndimore, ose nëpër vendet e tjera, siç është Anglia”.

Në të vërtetë, ekipet angleze po ndihmojnë gjithashtu në Ukrainë në mënyrën e tyre, me Leicester Cityn që është bashkuar tashmë me Kryqin e Kuq britanik dhe atë ukrainas për të dërguar furnizime për civilët e ngecur në Kiev. Shevchenko ka qenë i zëshëm në përpjekjen për të ndalur luftën dhe një gjë të tillë e ka kërkuar në të gjitha mënyrat, falë lidhjeve të tij me botën e futbollit. Së fundmi, ai nëpërmjet një video-mesazhi para ndeshjes derbi të Serie A mes Interit e Milanit, ka bërë thirrje për paqe. Ai ka insistuar se nuk e ka ndërmend të ndalet duke kërkuar përkrahje dhe beson se së shpejti lufta në Ukrainë do të marrë fund.

Edhe Ikona e futbollit, Shevchenko, ndien dhimbje dhe krenari për qëndrueshmërinë e Ukrainës Botë Ikona e futbollit, Shevchenko, ndien dhimbje dhe krenari për qëndrueshmërinë e Ukrainës

“Dua të falënderoj kombin tim, ushtrinë, presidentin Volodymyr Zelensky që kanë bërë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur vendin tim nga agresioni rus. Jam shumë krenar që jam ukrainas”, tha Shevchenko. “Është një moment shumë i vështirë për vendin tim, për popullin tim, për familjen time. Nëna ime dhe motra ime janë në Kiev për momentin dhe atje po ndodhin gjëra të tmerrshme. Ka njerëz që vdesin, fëmijë që vdesin, raketa që drejtohen në shtëpitë tona, dhe ne duhet ta ndalojmë këtë luftë, ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta ndalur luftën”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi të dielën se forcat ruse po përgatiten ta bombardojnë Odessan - një qytet historik në bregun e Detit të Zi. Forcat ruse kanë bërë përparim në Ukrainën jugore që nga pushtimi i saj 11 ditë më parë, duke pushtuar qytetin Kherson dhe duke bombarduar portin e Mariupolit, por Odessa deri më tani është kursyer kryesisht.