Skuadra e Interit është futur në garë për shërbimet e sulmuesit Richarlison, ka njoftuar të martën “Calciomercato”.
Bëhet e ditur se Interi po e sheh brazilianin si përforcim të duhur dhe zëvendësim ideal për Romelu Lukakun edicionin e ri, pasi belgu do të rikthehet te skuadra e Chelseat. Richarlison ka gjasa të mëdha të largohet nga Tottenhami këtë verë, pasi nuk ka bindur me paraqitjet e tij, si dhe nuk ka pasur minutazhë të madhe në ekipin nga Londra.
25-vjeçari iu bashkua Tottenhamit verën e shkuar nga Evertoni, ndërsa këtë edicion ka 3 gola e 4 asistime në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2027, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 50 milionë euro.