Futbollistet e Kosovës nga 21 deri më 27 shkurt do të jenë të angazhuara në turneun “Turkish Women’s Cup”, në Antalia të Turqisë.
Në garë për ta fituar këtë turne janë edhe India, Hong Kongu dhe Estonia.
India është përfaqësuesja me renditjen më të mirë në FIFA aktualisht. Zë vendin e 65-të.
Hong Kongu është i 79-t, Estonia e 98-ta kurse Kosova është e 100-ta.
Por të martën në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Indisë, Kosova është vlerësuar lartë nga Federata indiane, që ka shkruar se “Dardanet” janë favorite për të triumfuar në këtë turne sërish.
Federata e Indisë ka paraqitur të dhëna për kundërshtaret, ndërsa ka shkruar edhe për ndeshjen kundër Kosovës.
“Kosova mund të jetë skuadra me renditjen më të ultë, por forma e tyre në ndeshjet e fundit tregon se do të jetë njëra prej favoriteve për të triumfuar. Një prej anëtareve më të reja të FIFA-s, ndeshjen e parë zyrtare në konkurrencën e femrave e ka luajtur në turneun inaugurues në ‘Turkish Women’s Cup’ në vitin 2017, shumë kohë më parë. Nga vendi i 125 në gusht të vitit 2020, Kosova ka hyrë në top 100, pas sukseseve në vitin 2023 ku fitoi 10 ndeshje dhe barazoi një herë në 11 ballafaqimet që i pati. E udhëhequr nga përzgjedhësja suedeze, Karin Anneli Andersen, Kosova fitoi inkuadrimin historik në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s, pasi e fitoi grupin në Ligën C, pas fitoreve dominuese ndaj Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, Kosova e fitoi edicionin 2023 të ‘Turkish Women’s Cup’ dhe ‘BFU International Women’s Cup’, në turneun miqësor në Bullgari”, ka shkruar federata indiane.
Edhe
Ndaj Indisë, më shumë se vetëm një fitore e zakonshme
Kosova ndeshjen e parë në Turqi e luan kundër Hong Kongut më 21 shkurt. Tri ditë më pas luan kundër Estonisë, ndërsa me Indinë luan më 27 shkurt.
Federata e Futbollit e Indisë ka shkruar edhe për Erëleta Memetin, që është kapitene dhe një prej futbollisteve më të mira që ka Kosova.
“Në mesin e lojtareve vendimtare është kapitenia dhe sulmuesja Erëleta Memeti, që luan në Gjermani për klubin e Hoffenheimit dhe ka shënuar 10-të gola për Kosovën. Sulmuesja tjetër, Kaltrina Biqkaj, është lojtarja me më së shumti paraqitje, 47 gjithsej, dhe është vetëm 23-vjeçare. Edona Kryeziu dhe mesfushorja Donjeta Halili e Beshiktashit, janë prej emrave tjerë të rëndësishëm, njësoj siç është sensacioni, 19-vjeçarja Valentina Metaj, që kishte mesatare prej një goli të shënuar në çdo dy ndeshje për Kosovën. Një grup i mirë i futbollisteve kosovare që luajnë edhe në skuadra shqiptare, angleze, zvicerane, turke, gjermane e austriake”, ka shkruar Federata e Futbollit e Indisë.