Sport

Ndaj Indisë, më shumë se vetëm një fitore e zakonshme

Një driblim mjeshtëror i Erëleta Memetit në minutën e 92-të i solli Përfaqësueses së Kosovës në futboll fitoren ndaj Indisë. Kosova fitoi 1:0 të martën në Alanya dhe kështu doli kampione në turneun “Turkish Women’s Cup”.

Nuk është se në Kosovë bëri ndonjë bujë të madhe fitorja e futbollisteve “dardane” ndaj Indisë. FFK-ja ia kushtoi një shkrim të zakonshëm fitores, që, megjithatë, nuk është fitore si gjithë të tjerat në miqësore. Ka shumë arsye për këtë.

Pos që e siguroi trofeun e turneut ku morën pjesë edhe Hong-Kongu e Estonia, fitorja e Kosovës ndaj Indisë është edhe një lloj “revanshi” për diskriminimin që India ua ka bërë sportistëve kosovarë në të kaluarën. India në dy raste nuk lejoi hyrjen e boksieres Donjeta Sadiku në këtë vend, dhe kështu boksierja kosovare mbeti pa garuar në ngjarje të rëndësishme. Diskriminimi ndaj Sadikut kishte bërë bujë, ndërsa kishte reagime edhe nga organizatat e fuqishme sportive.

India nuk e njeh shtetin e Kosovës, por futbollistet e Indisë tashmë i njohin mirë futbollistet e Kosovës. Sidomos Erëleta Memetin, që i kaloi pesë-gjashtë futbolliste të Indisë para se të shënonte supergolin e festës së madhe.

“Humbja e futbollisteve nga Kosova nxjerr në pah kompleksitetin e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar mediumi indian “revsporz.in”.

Ky medium ka paraqitur përplasjet në diplomacinë sportive mes Indisë dhe Kosovës.

“Ngjarja kishte diçka më shumë në planin diplomatik. India dhe Kosova janë ngatërruar në një ngërç diplomatik. Përplasja u përshkallëzua në vitin 2018, kur Qeveria indiane refuzoi vizën për boksieren kosovare Donjeta Sadiku, pavarësisht miratimit nga Federata e Boksit e Indisë dhe Komiteti Olimpik i Indisë. Vendimi solli një kërcënim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për Indinë”, shkruan tutje sajti nga India.

Edhe në aspektin sportiv fitorja ndaj Indisë është e madhe. India, që po tentonte trofeun e parë jashtë Azisë Jugore, është dukshëm më lart se Kosova në ranglistën e FIFA-s. Është e 65-ta, ndërsa Kosova është e 100-ta. India, po ashtu, është vendi me popullatën më të madhe në botë. I ka mbi 1.42 miliardë banorë. Humbja e Indisë, rrjedhimisht fitorja e Kosovës, është paraqitur në shumë e shumë media në gjuhën angleze. Kjo nuk do të ndodhte nëse përballë Kosovës nuk do të ishte përfaqësuesja e vendit me popullatën më të madhe në botë. Ndër të tjera, për ndeshjen e së martës në Alanya ka shkruar edhe sajti zyrtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. “Olympics.com” shkruan rrallë për Kosovën. Për sportet ekipore, thuajse asnjëherë. Por fitorja ndaj Indisë i ofroi Kosovës një hapësirë të madhe në faqen zyrtare të IOC-së.

Në futbollin e vajzave Kosova për nga cilësia qëndron më lart se India. Kjo bën që tek India ta vlerësojnë lart vendin e dytë.

“Po, vendi i dytë është gjë e madhe pasi Kosova është përfaqësuese e fortë”, ka thënë selektorja e Indisë, Langam Cahoba Devi.

Një fitore në një turne modest, megjithatë kishte vlerë të madhe për futbollin e vajzave në Kosovë, kryesisht falë kundërshtarit.

Kosova ka fituar turneun në Turqi për herë të dytë rresht. Humbjen e fundit futbollistet e Kosovës e kanë pësuar në nëntor të vitit 2022. Prej atëherë kanë luajtur 11 ndeshje, ndërsa i kanë dhjetë fitore e një barazim. Kosova ka fituar ndaj Letonisë, Bullgarisë (dy herë), Lihtenshtajnit (dy herë), Maqedonisë së Veriut (dy herë), Hong-Kongut, Estonisë dhe Indisë. Ka barazuar vetëm me Bullgarinë në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. E fitoi grupin dhe është graduar në Ligën B.

Përfaqësueset e mëdha evropiane ende janë të papërballueshme për Kosovën. Por me përfaqësuese soldie, si Bullgaria e Maqedonia e Veriut, Kosova ia del shumë mirë.

“Është një bonus nëse fiton ndeshje ndërkombëtare, pasi ato tashmë janë bërë të vështira për t’u arritur, pasi futbolli i vajzave është përmirësuar kudo”, thotë selektorja e Kosovës, suedezja Anneli Andersen.

Kosova në përbërje ka lojtare të klubeve evropiane e po ashtu edhe të klubeve të vendit. Më 5 mars mëson kundërshtarët e kualifikimeve për “Euro 2025”. Pritet të shënojë fitore të tjera. Por vështirë se ndonjëra do të ketë vlerë sa fitorja ndaj Indisë.