Sulmuesi argjentinas Mauro Icardi ka insistuar se është i lumtur te Paris Saint-Germaini, pavarësisht interesimit të Juventusit dhe Romës për shërbimet e tij. Në një intervistë për sajtin zyrtar të PSG-së, Icardi ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend të largohet nga kryeqyteti francez pas përfundimit të këtij edicioni.
“Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e PSG-së, dhe po ndihem shumë mirë te kjo skuadër, me të cilën synoj të fitoj shumë trofe në të ardhmen”, është shprehur Icardi.
Sulmuesi 28-vjeçar ka kontratë me ekipin francez deri në vitin 2024 kurse në radhët e tij, u transferua para dy vjetësh nga Interi. Këtë sezon, Icardi ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 19 paraqitje në të gjitha garat.