Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Icardi dëshiron të qëndrojë te PSG-ja

Sulmuesi argjentinas Mauro Icardi dëshiron të qëndrojë te Paris Saint-Germaini. Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi ligjor i Icardit, Letterio Pino.

Icardi është i huazuar te Parisi nga Interi, ndërsa klubi kampion i Francës ka opsionin për të bërë transferimin e plotë për 70 milionë euro.

Madje Pino thotë se edhe drejtori sportiv i Parisit, Leonardo dëshiron që Icardi të mbetet.

“Leonardo e dinte se çfarë do të ofronte Mauro gjatë stinorit. Ai nuk luajti në disa ndeshje të Ligës së Kampionëve, por vetëm se kishte në skuadër edhe 18 lojtarë tjerë shumë të mirë. Sipas mendimit tim Leonardo dëshiron ta mbajë atë dhe shpresoj që PSG-ja ta bëjë këtë. Sigurisht kjo është ideja. Mauron e pëlqejnë të gjithë. Ata që e njohin Mauron flasin vetëm mirë për të, si në aspektin profesional ashtu edhe si person”, ka thënë Pino për “Radio Kiss Kiss”.

Pino po ashtu është pyetur edhe për interesimin e Napolit.

“Aurelio de Laurentiis gjithmonë ka bërë çdo gjë për të sjellë Icardin te Napoli. Aurelio ka tentuar ta transferojë për shumë vite. Por, momentalisht Icardi dëshiron të qëndrojë në Paris. Por, nëse Parisi nuk përdor opsionin për transferimin e tij, atëherë Mauro do ta marrë vendimin e duhur me Interin dhe Wanda Naran. Napoli është një klub i madh në futbollin italian. Icardi kurrë nuk ka fshehur afeksionin për Napoli dhe për Diego Maradonan”, ka thënë Pino.

Icardi 27-vjeçar ka shënuar 20 gola dhe asistuar katër tjerë në 31 ndeshje këtë stinor.

Artikuj të ngjashëm