Është klubi më i trofeshëm i futbollit në Kosovë pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në UEFA dhe në FIFA. Në total, ka fituar tre tituj të kampionit, po aq Kupa si dhe ka rrëmbyer edhe dy Superkupa të vendit.
Në garat evropiane është paraqitur vetëm një herë dhe ka arritur të kalojë fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, kurse është mënjanuar në rrethin e parë. Është eliminuar edhe në rrethin e dytë të Ligës së Evropës. Ndërkaq, një titull të kampionit e ka fituar para se të pranohet futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Derisa në edicionin 2015/2016, vit kur Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, klubeve kosovare i ishte mohuar pjesëmarrja për shkak se nuk i plotësonin kriteret që kërkonte UEFA. E njëjta gjë i ndodhi Feronikelit si kampion dhe Prishtinës si fituese e Kupës. Pas të gjitha këtyre sukseseve që nisën në edicionin 2014/2015, Feronikeli kaloi momente të vështira në sezonin e fundit (2020/2021). Madje, rrezikoi edhe largimin nga elita e futbollit kosovar. Vetëm në xhiron e fundit e siguroi mbijetesën. Pandemia si duket e goditi edhe klubin nga Drenasi, që është i zhytur në borxhe.
KOHA ka provuar të flasë me presidentin e Feronikelit, Naser Ramaj, për të parë gjendjen aktuale dhe të ardhmen e klubit, por ai nuk është përgjigjur gjatë së enjtes.
Me të përfunduar kampionati, shumica e futbollistëve të ekipit të parë janë larguar. Ndaj tyre klubi ka shumë obligime financiare. Ndaj disave edhe nga pesë paga borxh.
KOHA mëson se borxhi total i Feronikelit kalon shifrën e 250 mijë eurove. I vetmi që ka folur të enjten për gazetën është drejtori i përgjithshëm i Feronikelit, Artan Berisha. Ai nuk ka dashur të deklarohet për Ramajn dhe borxhet e shumta që ka klubi. Por, Berisha e ka pranuar se gjendja financiare nuk është aspak e mirë. Shkaku i borxheve dhe kontesteve me lojtarë, FIFA ia kishte bllokuar Feronikelit sistemin për regjistrimin e lojtarëve, por që pak ditë para se të nisë kampionati i ishte zhbllokuar.
“Gjendja financiare nuk është e mirë për momentin pasi që veç kemi disa konteste me lojtarë për shkak të ndërprerjes se kontratave, por afati kalimtar është i hapur për neve dhe mund të regjistrojmë lojtarë të lirë që janë ende dhe ditët në vijim besoj do t’i kemi edhe dy-tri përforcime në klub”, ka thënë Berisha.
Berisha nuk ka dashur t’i zbulojë emrat se kush e ka paditur Feronikelin në FIFA.
Por, KOHA zbulon se Feronikeli është paditur në FIFA nga dy futbollistë, Alban Pnishi dhe Bedri Greca. Pas marrëveshjes për shlyerjen e borxhit me këste, Feronikelit i është hapur mundësia e regjistrimit të lojtarëve. Berisha thotë se pas shumë përpjekjeve, ia kanë dalë që të nisin edicionin në Superligë. Thekson se objektivi është i qartë, mbetja në Superligë dhe stabilizimi financiar.
“Gjendja në klub është e mirë, duke pasur parasysh se kemi nisur pak me vonesë përgatitjet, por kemi arritur t’i transferojmë disa lojtarë cilësorë dhe me përvojë, e po ashtu edhe disa që kanë qëndruar në klub. Objektivat tona këtë sezon janë qëndrimi në Superligë, stabiliteti financiar dhe mbyllja e disa rasteve që i kemi kontestuese, e pastaj të shikojmë mundësitë për sezonin tjetër të organizohemi më mirë dhe t’i ndjekim trofetë si viteve të mëhershme”, tha Berisha.
Gjendjen jo të mirë e ka pohuar edhe kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci. “Në bazë të fjalëve që kam dëgjuar, kryetari Naser Ramaj ka pasur probleme financiare shkaku i pandemisë. Nuk i kanë ecur si duket bizneset si duhet dhe nuk ka mundur ta financojë ekipin dhe pastaj janë krijuar borxhet. Lojtarët i kanë kontratat e tyre dhe me të drejtë kërkojnë që borxhet t’u shlyhen. Shpresoj që të bëhet një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të dalim nga kjo gjendje e pakëndshme. Nuk është problemi për mua dhe më vjen keq të flas për borxhet. Për mua nuk ka problem, unë do ta pres klubin pasi e kam ekip të qytetit dhe të zemrës, por edhe nëse nuk ka mundësi, edhe nëse nuk më shlyhen borxhet, fare nuk ka problem për mua. Unë do të pres dhe një ditë nëse rregullohen gjërat mund edhe të shlyhen”, ka thënë Lladrovci në “Sportin Total” të KTV-së. “Dua ta falënderoj Artan Berishën, pasi ka qenë njeriu kryesor që të angazhohemi për këto probleme të cilat i kemi pasur dhe shpresoj shumë që të kenë kaluar këto telashe, sepse një klub i organizuar, që në vitet e fundit ka krijuar një traditë mjaft të mirë për të ardhur në këtë gjendje është me të vërtetë gjynah. Dua t’i falënderoj edhe lojtarët që kanë ardhur e të cilët kanë qenë edhe më herët, pasi kanë sakrifikuar edhe nga ana financiare vetëm që t’i ndihmojnë klubit dhe ta nxjerrim nga kjo krizë që e ka kapluar”.
Përveç Berishës, aktualisht me organizimin dhe mbajtjen e klubit po merren edhe Ragip Veseli, si dhe Naser e Bajram Rexhepi. Feronikeli e ka nisur edicionin e ri në Superligë me humbje. Është mposhtur si mysafir i Dritës 2:1. Në xhiron e dytë e pret skuadrën e Gjilanit në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, duel që zhvillohet të dielën prej orës 17:00.