Ligjërisht klubi i dikurshëm nga Drenasi, Feronikeli, dhe klubi i ri nga Drenasi, Feronikeli 74, nuk kanë asgjë të përbashkët.
Feronikeli 74, megjithatë, i shfrytëzon të gjitha asetet e klubit me nam, Feronikeli, që ndali aktivitetin shkaku i obligimeve të mëdha të pashlyera.
Feronikeli kishte borxhe të shumta, ndërsa krijimi i klubit të ri ishte edhe përpjekje për shmangie të borxheve. Por ndryshimi i emrit nuk nënkuptoi anulimin e borxhit ndaj lojtarëve.
FIFA e ka obliguar Feronikelin 74 t’i shlyejë borxhet ndaj lojtarëve e trajnerëve, si “trashëguese sportive” e klubit të futbollit Feronikeli.
Drejtuesit e Feronikeli 74 janë ende duke kthyer borxhe ndaj lojtarëve e trajnerëve.
Rreth 700 mijë euro është shuma e obligimeve që kishte kryesia e Feronikelit. Gjithë këto borxhe janë mbledhur prej 2019-s, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Në Evropë, Nikli arriti të kalojë fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa u eliminua në fazën e dytë të Ligës së Evropës.
Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, Feronikeli borxh ka edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës.
KOHA mëson se obligimet ndaj shtetit i bartëNaser Ramaj, i cili ende figuron si kryetar i klubit Feronikeli në Departamentin për Organizata Jo-qeveritare (OJQ).
“Ne jemi klub i ri, kemi tjetër certifikatë dhe numër tjetër biznesi. Kemi paguar obligimet ndaj lojtarëve të cilat na i ka faturuar FIFA”, ka thënë një zyrtar i klubit nga Drenasi, Feronikeli 74, në kushte anonimiteti.
KOHA ka kontaktuar me krerët e klubit. Por nga Feronikeli 74 nuk kanë dashur të komentojnë rreth obligimeve.
Një tjetër burim i ka thënë KOHËS se FIFA ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit Feronikeli 74 se nuk mund të marrin pjesë në garat e vendit e as ato ndërkombëtare nëse nuk shlyhen borxhet ndaj lojtarëve.
“FIFA u ka thënë se nëse duan të funksionojnë apo të marrin pjesë në gara, duhet ta shlyejnë borxhin. U kanë thënë se janë trashëgues sportivë. Kanë parë fotografitë se ekzistojnë thuajse të njëjtët njerëz dhe prandaj i ka detyruar t’i shlyejnë borxhet nëse duan të vazhdojnë garimin. Me ATK nuk kanë punë. Me Administratën Tatimore kanë punë vetëm nga viti 2022”, ka thënë një zyrtar që nuk ka dashur t’i zbulohet emri.
“Ndoshta ka mbetur diçka pa u shlyer, por janë shlyer afro gjysmë milioni euro obligime”, ka thënë një burim tjetër.
Te Feronikeli 74 së fundi kishin telashe edhe me arbritrat. U ankuan se po dëmtohen rëndë. Kishte vendim për tërheqje, por të premten në konferencën e jashtëzakonshme për media njoftuan për vazhdim të garave.
Te Feronikeli 74 thonë se u takojnë trofetë e fituara nga Feronikeli, ndonëse si klub i ri.
“Tre titujt, tri kupat dhe dy Superkupat i takojnë Feronikelit 74. Prandaj edhe kemi shlyer borxhe”, ka thënë një zyrtar i lartë i klubit.
Feronikeli 74 ka mbetur pa fitore edhe pas 11 xhirove në Superligë. Zë vendin e fundit me tri pikë.
Të hënën do ta ketë një ndeshje të vështirë. E pret kampionin e Kosovës, Ballkanin.
Damir Kojasheviq, që është nga Mali i Zi, është prej lojtarëve ndaj të cilëve Feronikeli kishte borxhe. Madje borxhi ndaj tij ishte raportuar se ishte mbi 70 mijë euro. Kojasheviqi vazhdimisht ishte i bindur se do të merrte borxhin një ditë.
“Ndaj meje kanë kryer 50 për qind të obligimeve, ndërsa kanë mbetur edhe 50 për qind. Ka mbetur që avokati ta kryejë këtë dhe të shohim çka do të ndodhë. Gjysmën e borxhit e kanë kryer tre-katër muaj më parë. Natyrisht që ndryshimi i emrit nuk nënkupton shmangie nga borxhi. Do të duhet t’i paguajnë të gjitha obligimet”, ka thënë Kojasheviq për KOHËN.