Sport

Lojtarët nuk po mund t’i drejtohen FIFA-s, Federata nuk ua lëshon dëshminë për borxhin e Feronikelit

Lojtaret e Feronikelit kerkojne borxhet

Ish-futbollistët e Feronikelit, të cilëve u ka mbetur borxh klubi nga Drenasi, vazhdojnë ta kërkojnë të drejtën e tyre.

Yll Hoxha, Albert Dabiqaj e Mevlan Zeka janë disa nga futbollistët ndaj të cilëve Feronikeli ka obligime të shumta financiare. Në fakt Feronikeli më nuk ekziston me këtë emër. Klubi është fuzionuar dhe tani quhet Feronikeli 74. Është ndërruar edhe logoja e klubit. Fuzionimi i dyshimtë po i frikëson lojtarët që mund të mbeten pa i marrë paratë që u takojnë me kontratë dhe i kanë fituar me djersë.

Hoxha, Dabiqaj e Zeka po kërkojnë një vërtetim në Federatën e Futbollit të Kosovës që dëshmon që Feronikeli u ka borxh. Vërtetimin thonë se po e kërkojnë si dëshmi në mënyrë që të ankohen në FIFA. Por ka disa javë që nuk po mund ta marrin.

Në fakt, lojtarët qe disa vjet i kanë dorëzuar ankesat në Komisionin Disiplinor të FFK-së për mosshlyerjen e borxhit nga Feronikeli, por lëndët asnjëherë nuk kanë përfunduar.

Një problem tjetër që e kanë hasur futbollistët është se në FFK askush nuk u përgjigjet që t’ua jap vërtetimin e borxhit që ua ka Feronikeli. Përgjigje nuk po marrin as nga klubi i Feronikelit, që tani mban emrin Feronikeli 74.

Yll Hoxha ka thënë të hënën për KOHËN se disa herë ka qenë në Federatën e Futbollit të Kosovës porse nuk ka kryer punë.

“Unë kam qenë në Federatë disa herë. Kam biseduar një herë me Besarta Muhadrin e cila më ka thënë që do të mblidhet komisioni për statusin e lojtarëve. E kam thirrur edhe në telefon, por më ka thënë që ende nuk është mbledhur. Më nuk po lajmërohen. Nuk e di se çfarë po ndodh aty. Ai vërtetim po na duhet që të ankohemi në FIFA dhe ta kërkojmë të drejtën tonë. Ne nuk do të ndalemi”, u shpreh Hoxha. Feronikeli ia ka borxh Hoxhës 28 mijë euro.

Edhe Albert Dabiqaj thotë se në FFK nuk po u përgjigjet askush. Dabiqaj po e kërkon borxhin prej 25 mijë e 200 eurosh.

“Nuk po përgjigjet askush në FFK. Vetëm të shkojmë çdo ditë aty. Nuk po dimë as çka të bëjmë. Kjo që po ndodh është e papranueshme”, deklaroi Dabiqaj.

Ai nuk është i informuar që ekziston Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve. Kjo shoqatë të paktën formalisht ekziston. Por nuk po ofron ndonjë përkrahje për këta tre lojtarë.

“Pse a ka shoqatë të futbollistëve?”, pyet me ironi Dabiqaj.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, Visar Zogiani, por ai nuk është përgjigjur. Në fakt, Shoqata, të paktën sa u takon komunikatave, nuk ka qenë aktive që nga prilli i këtij viti. Në faqen zyrtare në Facebook reagimi i fundit ka qenë në prill ndaj incidentit në Gjilan.

Me situatën e krijuar i indinjuar është edhe sulmuesi Mevlan Zeka. Zeka, Hoxha dhe Dabiqaj tani luajnë te Gjilani.

“Nuk e di pse po ndodh kjo që në FFK nuk po na japin një vërtetim që dëshmon që Feronikeli ka borxh ndaj ndesh. Më pas ne do ta dërgonin rastin në FIFA. Nuk do të ndalemi derisa të marrim atë që na takon. Ne FFK i kanë rastet tona që i kemi dërguar për borxhin që na ka klubi”, theksoi Zeka.

Në fakt futbollistët mund të ankohen direkt edhe në FIFA në komisionin për statusin e lojtarëve për ta kërkuar të drejtën e tyre. Por me gjasë kjo treshe është këshilluar ndryshe.

Deri në vitin e kaluar lojtarët ndaj të cilëve ka borxh klubi janë ankuar në Komisionin Disiplinor të FFK-së. Por, tani një gjë të tillë mund ta bëjnë në Komisionin për Statusin e Lojtarëve.

Met Çeku, kryetar i Komisionit Disiplinor, tha të hënën shkurt përmes telefonit se raste tashmë kanë kaluar te Komisioni për Statusin e Lojtarëve.

Kryetari i këtij Komisioni, Zeqir Kiqina, nuk e ka hapur telefonin gjatë të hënës.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në adresë të FFK-së ditë më parë për mënyrën e fuzionimit të Feronikelit dhe për borxhin ndaj lojtarëve, por që nuk ka marrë përgjigje.

As te Feronieli 74 nuk ka folur askush. Borxhi total që Feronikeli u ka ish-lojtarëve dhe trajnerëve është rreth 1 milion euro.

Ka borxhe edhe ndaj lojtarëve dhe trajnerëve të huaj. Ata i janë drejtuar direkt FIFA-s. Të paktën njëri prej tyre është shprehur i bindur se borxhin do ta marrë dhe se ndërrimi i emrit nuk do ta “shpëtojë” klubin.