Reprezentuesi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj do të largohet përfundimisht nga skuadra e Napolit në fund të sezonit kur edhe i skadon kontrata. Largimin e Hysajt nga Napoli e ka konfirmuar edhe agjenti i tij, Mario Giuffredi të hënën në një intervistë për mediumet italiane.
Sipas tij, Hysaj edicionin e ardhshëm do të luaj për një ekip tjetër pasi negociatat me Napolin për rinovimin e kontratës tashmë janë mbyllur. “Negociatat janë mbyllur dhe prej edicionit të ardhshëm Hysaj do të jetë pjesë e një ekipi tjetër. Kështu që, ai në fund të sezonit, përfundimisht do të largohet nga Napoli”, tha Giuffredi. Hysaj 27-vjeçar këtë edicion ka 14 paraqitje dhe dy asistime në të gjitha garat. Ai është pjesë e Napolit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Empoli për pesë milionë euro.