Sport

Hoxha synon ligat e forta evropiane përmes kampionatit kroat

Futbollisti kosovar, Arbër Hoxha, është transferuar te klubi kroat, Slaven Belupo. Zyrtarizimi i sulmuesit të krahut te Belupo është bërë të martën. Ai ka firmosur kontratë me klubin e elitës së futbollit kroat të vlefshme deri më 1 janar 2025.

Te Slaven Belupo, Hoxha u transferua nga Lokomotiva e Zagrebit, ekip tjetër i elitës kroate. Me këtë skuadër pati vetëm tetë paraqitje në kampionat dhe tri në Kupë, duke mos shënuar gol. Vetëm në dy ndeshje të kupës ka qenë titulluar, kurse në kampionat në të gjitha ndeshjet ka hyrë si zëvendësues. Në total ka luajtur 325 minuta me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit.

23-vjeçari ka thënë të martën për KOHËN se e ka parë Slaven Belupon si mundësi të mirë. Ai pret të luajë më shumë, kurse periudhën që e ka kaluar te Lokomotiva e Zagrebit e quan të padëshiruar.

“E pashë të arsyeshme lëvizjen dhe e shoh klub shumë të duhur për mua Slaven Belupon. Vendosa të firmos kontratë për tre vjet. Sigurisht që pres të luaj dhe ta ndihmoj ekipin që të arrijë objektivat. Periudhën e padëshiruar për mua nuk dua ta diskutoj”, tha Hoxha.

Ai e pranon se ka pasur oferta të tjera. Nënvizon se kontaktet nuk kanë munguar as nga klubet e Kosovës, por nuk ka dashur të bëjë hap prapa në karrierën e tij.

“Kam pasur oferta edhe nga disa klube të tjera, por zgjodha Belupon për arsye se fillova të ambientohem në kampionat dhe nuk e pashë të arsyeshme që ta ndërroj kampionatin. Kam pasur kontakte edhe nga klubet kosovare, por nuk kam dashur të bëj hap prapa në karrierë. Mendoj që e kam bërë zgjedhjen e duhur dhe tani më mbetet që të fokusohem te klubi për ta ndihmuar në çdo ndeshje”, tha sulmuesi kosovar.

Hoxha e di shumë mirë se për çka ka shkuar te Belupo. Synon që përmes klubit aktual dhe kampionatit kroat të transferohet te ndonjë klub më i madh evropian.

“Synimet janë që të luaj, të rritem si lojtar dhe të bëj hapa para në karrierë. Të gjithë e dimë se nëse luan mirë në ligën kroate dhe e bën diferencën, e ke shumë më të lehtë që të kalosh në ndonjë kampionat të fortë. Unë nuk do të ndalem. Dua të punoj shumë dhe të arrij sa më lart që të jetë e mundur”, deklaroi Hoxha.

Hoxha është pjesë e elitës së futbollit të Kroacisë që nga korriku i vitit të kaluar. Ai shton se është ambientuar shumë mirë. Futbollisti kosovar mendon që infrastruktura e bën dallimin e madh me Kosovën, kurse për cilësi thotë se nuk janë shumë larg kroatët.

“Fillimet normal që janë të vështira, por tani jam futur në ritëm dhe nuk kam asnjë problem. Futbolli i Kosovës po rritet dita-ditës dhe për cilësi se diskutojmë që ka super-talente në Kosovë. Krejt çka na mungon është infrastruktura, kurse për cilësi nuk ka dallim të madh me futbollin kroat”, tha futbollisti më i ri i Slaven Belupos.

Hoxha pohon se fokus të madh për të ka edhe përfaqësuesja e Kosovës.

“Gjithmonë synoj ta përfaqësoj Kosovën, sepse ajo është ndjenja më e bukur në botë. Për atë arsye do të punoj çdo ditë që të jem pjesë e pandashme e Kosovës”.

Ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Zoran Zekiq prej ndeshjes me Hajdukun që luhet të dielën.

Arbër Hoxha u transferua te Lokomotiva e Zagrebit nga Ballkani i Suharekës. Përveç Ballkanit, në Kosovë ka luajtur edhe për Prishtinën, Besën dhe Istogun.

Hoxha ka edhe tri paraqitje për Kosovën, ku ka shënuar një gol ndaj Gambisë në miqësore. Të tri ndeshjet kanë qenë miqësore. Ka luajtur edhe për Kosovën U21.