Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbollistet e Kosovës, të gatshme për ndeshjet ndaj Ishujve Faroe

Hendbollistet e Kosovës janë shprehur të gatshme për ta nisur mbarë ciklin kualifikues për Botërorin e vitit 2023. Në fazën e parë përballë do ta kenë përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Dy ndeshjet kundër Ishujve Faroe, Kosova do t’i zhvillojë në Istog. Të parën e luan të enjten nga ora 19:30 në palestrën e qytetit të Istogut. Ndërsa, të dytën e luan të shtunën, po ashtu në Istog në të njëjtën kohë.

Për t’i mposhtur Ishujt Faroe, hendbollistet e Kosovës kërkojnë përkrahje të madhe nga tribunat. Hendbollistja Arlinda Hajdari, që është kthyer te Kosova pas lëndimit, ka thënë se janë të motivuara për ta përfaqësuar denjësisht shtetin. Hajdari ishte lënduar verën e kaluar derisa po luante për Kosovën. Ka thënë se atmosfera është në ekip. Pas ndeshjeve në Ligën B të Danimarkës, Arlinda është grumbulluar me Kosovën, ndërsa ka shfaqur nivel në ndeshjet përgatitore me Greqinë.

“Përgatitjet po shkojnë mirë. Kemi pasur dy ndeshje miqësore me Greqinë ku kemi provuar taktika të ndryshme, që të jemi gati për ndeshjet me Ishujt Faroe. Atmosfera në ekip është fantastike dhe jemi gati të luftojmë për vendin tonë. Premtojmë maksimumin ndaj Ishujve Faroe”, ka theksuar Arlinda Hajdari.

Kosovës i është kthyer edhe kapitenia Leonora Demaj. Ajo është kthyer pas tre vjetësh. Për Demajn paraqitja në ndaj Ishujve Faroe do të jetë e veçantë. Do të luajë për herë të parë në Istog, prej nga edhe e ka prejardhjen. Hendbollistja që bën karrierë në Danimarkë pret përkrahje nga e gjithë Kosova ndaj Ishujve Faroe. Demaj ka shkëlqyer të shtunën në ndeshjen përgatitore ndaj Greqisë. Të dielën pushoi për shkak të një shqetësimi. Por, do të jetë e gatshme dhe maksimalisht e motivuar për ndeshjet kualifikuese me Ishujt Faroe, që luhen të enjten dhe të shtunën.

“Jam shumë e kënaqur që i jam bashkuar Kombëtares dhe që po kthehem pas tre vjetësh. Na presin dy ndeshje të vështira, por nëse e japim maksimumin dhe ndihmojmë njëra-tjetrën, atëherë kemi shanse. Po ashtu na duhet përkrahja e madhe e shikuesve, që nuk dyshoi se do të jetë e tillë”, ka thënë Leonora Demaj.

Ajo insiston se publiku në palestër do të jetë lojtarja e tetë te Kosova.

Edhe Leonora Demaj e lumtur që kthehet te Kosova Sport Leonora Demaj e lumtur që kthehet te Kosova

“Më ka munguar shumë të luaj për Kosovën. Më ka munguar edhe publiku që e kemi lojtaren e tetë”, është shprehur kapitenia e Kosovës.

Në shtëpinë e tyre të dytë, palestrën në Istog, paraqiten edhe Albina Rugova, Blerta Ahmetxhekaj, Yllka Shatri dhe Natalija Milatoviq. Ato janë pjesë e KH Istogut. Pas një kohe të gjatë te Kosova është kthyer edhe Rina Rexhepi. Ajo ka kaluar formë shumë të mirë në muajt e fundit në Ligën B të Danimarkës. Shquhet për numrin e madh të golave që i shënon për skuadrën AGF Handbold. Kosova ka edhe dy debutuese për Ishujt Faroe, Elisa dhe Melisa Mulaj, si dhe Venera Kafexholli. Të gjitha janë të përkushtuara për të dhënë maksimumin për Kombëtaren e Kosovës.