Pas tre vjetësh, Leonora Demaj kthehet në përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Demaj është kapitene e Kosovës.
Ajo pritet të jetë prej lojtareve kryesore në dy ndeshjet e Kosovës me Ishujt Faroe. Më 3 dhe 5 nëntor në Istog, Kosova takohet me Ishujt Faroe në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.
Demaj, që bën karrierë në Danimarkë, së fundmi për Kosovën kishte luajtur në nëntor të vitit 2019. Gjatë 2020-s, Kosova nuk kishte luajtur ndeshje për shkak të pandemisë. Vjet Demaj mungoi në ndeshjet kualifikuese për Botëror dhe për Evropian për shkak të një lëndimi.
“Jam shumë e kënaqur që do t’i bashkohem Kosovës dhe që rikthehem në përfaqësuese dhe te vajzat. Është me shumë rëndësi që t’i përdorim maksimalisht stërvitjet e përbashkëta. Duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht për të pasur lidhje sa më të mirë mes vete në ndeshje. Nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, ndërsa ka kohë të gjatë që nuk kemi qenë të grumbulluara së bashku”, ka thënë Demaj për KOHËN.
Ajo është me prejardhje nga Istogu, ndërsa pikërisht në këtë qytet Kosova i luan ndeshjet. Përkrahja e shikuesve pritet të jetë e madhe.
Grumbullimi i përfaqësueses do të bëhet të martën. Ndonëse të dyja ndeshjet janë në Kosovë, Demajn dhe bashkëlojtaret e saj i pret mision i vështirë.
“Ishujt Faroe e kanë lojën shumë të shpejtë dhe kanë lojtare të mira në aspektin individual. Na presin dy ndeshje shumë të vështira, por besoj që nëse e japim maksimumin, i ndihmojmë njëra-tjetrës, luajmë si ekip dhe kemi përkrahjen e publikut, atëherë kemi shanse”, ka theksuar Demaj, që luan kryesisht në pozitën e bekut të majtë dhe qendrës.
Marigona Hajdari është një tjetër bartëse e lojës së Kosovës tashmë. Demaj e Marigona Hajdari janë së bashku në Ringkobing të Danimarkës dhe fakti se luajnë për një skuadër pritet t’i shërbejë Kosovës.
Shumë pritet edhe nga lojtaret e tjera në Skandinavi. Mirela Gjikokaj po luan me sukses në kategorinë e dytë të Norvegjisë, ndërsa në kategorinë e dytë daneze janë Rina Rexhepi e Arlinda Hajdari. Kosova ka lojtare edhe në Zvicër, Gjermani e Slloveni, ndërsa katër lojtare në përfaqësuese janë të Istogut. Prishtina prezantohet me një lojtare.
“Më ka munguar shumë paraqitja për Kosovën. Më ka munguar edhe publiku që e kemi lojtarin e tetë. Kanë qenë tre vjet të vështirë për mua shkaku i lëndimit dhe po ashtu pandemisë. Kam punuar shumë që të kthehem kështu që shpresoj se do të paraqitemi mirë së bashku me vajzat e tjera të përfaqësueses dhe t’i ofrojmë Kosovës dy ndeshje sa më të mira”, ka theksuar Leonora Demaj.