Sport

Kthehet kapitenia Demaj, Kosova synon të kalojë Ishujt Faroe

Pas gati tre vjetësh mungesë, Leonora Demaj kthehet në Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Demaj është kapitene dhe ishte lojtarja kryesore prej se erdhi te Kosova. Ajo ka munguar në ndeshjet e vitit të kaluar për shkak të një lëndimi në gju.

Demaj, që bën karrierë në elitën e Danimarkës, do ta udhëheqë Kosovën në fushën e lojës në dy ndeshjet ndaj Ishujve Faroe.

Kosova luan me Ishujt Faroe më 3 dhe 5 nëntor. Të dy ndeshjet luhen në Istog, ndërsa i takojnë fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023.

Selektori i Kosovës, Agron Shabani, të dielën ka publikuar listën e lojtareve në të cilat llogarit për dy ndeshjet me Ishujt Faroe, por edhe për miqësoret ndaj Greqisë, që luhen fundjavën e ardhshme. Shabani ka thirrur 18 hendbolliste, shumica prej tyre nga vendet evropiane.

Pos Demajt në elitën e Danimarkës luan edhe Marigona Hajdari. Ato janë së bashku te skuadra Ringkobing dhe pritet ta udhëheqin lojën e Kosovës ndaj Ishujve Faroe. Synimi është që të kalohet përfaqësuesja e Ishujve Faroe, ndërsa fakti se dy ndeshjet luhen në Kosovë është favorizues.

Pos Demajt, kthehen edhe Shkurta Mehmeti, Rina Rexhepi dhe Arlinda Hajdari, që gjithashtu ka sanuar një lëndim.

FHK-ja ka njoftuar se për herë të parë janë ftuar Venera Kafexholli, Melisa Mulaj, Elisa Mulaj dhe Natalia Milatoviq. Melisa dhe Elisa Mulaj janë motra, ndërsa luajnë në Norvegji. Por jo në nivel të lartë. Ndërkohë Milatoviq është malazeze që luan prej disa vjetësh për Istogun. Ajo ka luajtur për U19 të Kosovës dhe tani është ftuar në Përfaqësuesen A.

Hendbollistet e Kosovës ka kohë që nuk kanë fituar. Dhe ndaj Ishujve Faroe e shohin rastin.

“Një kohë shumë të gjatë nuk kemi pasur grumbullim me Kosovën, kështu që jemi duke i pritur ndeshjet e ardhshme me shumë emocione. Mezi presim të grumbullohemi. Kemi nevojë për fitore, ndërsa fakti që ndeshjet janë në Kosovë, në vendin tonë, është një plus shumë i madh. Natyrisht të gjitha ne llogarisim në përkrahjen e shikuesve për të vazhduar ngritjen”, ka thënë Marigona Hajdari. Ajo është organizatore e lojës dhe prej më cilësoreve te Kosova.

Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Ishujt Faroe

Njomza Kelmendi, Elisa Mulaj, Melisa Mulaj, Shkurta Mehmeti, Mirela Gjikokaj, Yllka Shatri, Fitore Aliu, Arlinda Hajdari, Natalia Milatoviq, Pashke Marku, Albina Rugova, Venera Kafexholli, Rina Rexhepi, Leonora Demaj, Mirjeta Bytyqi, Marigona Hajdari, Blerta Ahmetxhekaj, Suzana Ujkiq