Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Rahoveci fiton ndeshjen e tensionuar ndaj Besa Famgas

Rahoveci e ka fituar ndeshjen shumë të tensionuar e shumë dramatike ndaj Besa Famgasit që u vendos në dy minutat e fundit.

Rahoveci të enjtën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, triumfoi ndaj kampiones në fuqi të Kosovës, në ndeshjen e mbetur të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll. Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Besa Famgasit në garat evropiane.

Rahoveci me shumë ndryshime në përbërje e me shumë përforcime në edicionin aktual, triumfoi me rezultatin 34:33. Rahoveci në pjesën e parë shkoi deri në katër gola dallim, por pejanët u kthyen dhe dolën në epërsi 14:13. Rahoveci u konsolidua në mbrojtje dhe e ktheu epërsinë për të shkuar në pushim me tri gola dallim, 20:17.

Loja ishte shumë e fortë dhe e barabartë edhe në pjesën e dytë. Madje pati edhe tensione. Pati fjalosje mes lojtarëve pejanë dhe tifozëve vendës. Ekipi i Besa Famgas u fut në dhomat e zhveshjes, dhe u kthye më pas sërish në palestër. Ndeshja, megjithatë vazhdoi. 23 sekonda para se të mbyllej ndeshja, Mursel Mehmeti ndali penalltinë e vendësve. Pejanët nuk e shfrytëzuan aksionin e fundit. Nikola Prce në gjuajtjen e fundit të ndeshjes, e qëlloi shtyllën dhe Rahoveci fitoi me një gol dallim, 34:33.

Igor Radojeviq ishte më efikasi te Rahoveci me nëntë gola të shënuar, kurse kontribut në fitore dha edhe Jeton Bislimi me shtatë gola. Shtatë gola pati edhe Igor Chiesliov i Besa Famgas, kurse Arbios Mushkolaj shënoi gjashtë të tjera, por nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.

Rahoveci ka gjashtë fitore në po aq ndeshje të luajtura dhe prinë në tabelë me 12 pikë. Besa Famgas mbetet në pozitën e tretë me tetë pikë, me katër fitore e një disfatë.