Rahoveci po shndërrohet në skuadër kryesore të hendbollit në vend. Për herë të dytë brenda pak javëve, Rahoveci e ka mposhtur skuadrën pejane, Besa Famgas. Besa për shumë edicione e kishte përfunduar pjesën e rregullt të kampionatit pa humbje të pësuar. Ka dominuar plotësisht në kampionat.
Por kjo ka ndryshuar këtë edicion, pas përforcimeve të shumta që bëri skuadra rahovecase.
Të dielën, Besa Famgas e Rahoveci janë përballur në palestrën “Karagaçi” në Pejë, në kuadër të xhiros së 11-të të elitës së hendbollit kosovar. Rahoveci ka fituar me rezultat 29:27. Ndeshja ishte shumë e fortë dhe dramatike deri në fund. Ka pasur luftë të madhe nga të dy skuadrat, ndërsa nuk kanë munguar as tensionet në fushën e lojës e po ashtu në tribuna.
Në fund kanë festuar “vreshtarët” që tani kanë 11 fitore rresht. Rahoveci udhëheq në tabelë me 22 pikë. Besa mbetet e dyta me 16 pikë, ndërsa ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në pjesën e parë skuadra pejane shfaqi më shumë. Krijoi epërsi deri në katër gola, 9:5. Por më pas mysafirët u kthyen dhe deri në fund të pjesës së parë u zhvillua lojë e barabartë. Deri në minutën e 50-të sërish vendasit ishin kryesisht para me një e dy gola.
Në minutën e 51-të, Rahoveci kaloi në epërsi, 24:22. Besa Famgas barazoi në 24:24 e më pas kaloi sërish në epërsi 25:24.
Në minutën e 56-të për epërsinë 26:25 të Rahovecit shënoi pivoti Jeton Bislimi. Besa barazoi në 26:26, ndërsa për 27:26 në të mirë të Rahovecit shënoi Mali Luzha. Portieri Arbër Curri bëri pritje vendimtare, kurse Bislimi shënoi për 28:26 në minutën e 58-të. Igor Chesliov shënoi golin e 27-të për Besën në minutën e 59-të, ndërsa në fund penallti për 29:27 shënoi Victor Alonso.
Spanjolli Alonso e Jon Muqolli ishin më efikasët te Rahoveci me nga gjashtë gola. Janë dalluar portierët Curri e Arti Luzha. Te Besa, Ajdin Smajlbegoviq i shënoi shtatë gola, ndërsa gjashtë i kishte Arbios Mushkolaj. Pritjet e shumta të Mursel Mehmetit nuk kryen punë.
Rahoveci synon ta ndalë dominimin e Besës në kampionat, por klubi pejan vështirë se do të pajtohet me humbjen e primatit. Rrjedhimisht pritet garë shumë e fortë e të dy skuadrave.