Të shtunën janë luajtur ndeshjet e para finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në të dy konkurrencat.
Kampionia Besa Famgas ka fituar thellë e lehtë ndaj Prishtinës me shifrat 38:26. Ndeshja është luajtur në palestrën “Karagaçi” pa praninë e shikuesve. Besa, që ka vetëm fitore këtë edicion, ka nisur herët shkëputjen në rezultat dhe ka mbajtur epërsi konstante.
K. Jupa ishte më efikasi me 9 gola te pejanët. N. Prce e E. Gjuka shënuan nga 7 gola, sa i realizoi edhe P. Prekazi te Prishtina.
Besës i duhet edhe një fitore apo barazim për të fituar titullin. Ndeshja e dytë luhet në Prishtinë në mesjavë.
Te hendbollistet, ndeshja e parë finale është luajtur në Ferizaj. Ferizaj, që për herë të parë garon në Superligë, ka mposhtur kampionin aktual, Istogun, me rezultat 34:29. Madje ferizajaset kanë pasur epërsi edhe më të lartë deri në fazën e fundit të ndeshjes. Portierja E. Rogova ndali shumë gjuajtje, ndërsa loja e Ferizajt u bazua te lojtaret me përvojë, Sh. Fazlija, A. Kelmendi, A. Basha dhe M. Koneski. Te Istogu u dalluan me efikasitet T. Hetemi e S. Ujkiq.
Ndeshja e dytë dhe e fundit finale te hendbollistet luhet në Pejë në mesjavë.