Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hazard nuk është i përgatitur 100 për qind, por është optimist për Evropian

Eden Hazard ka ende “disa probleme me kofshën”, pasi humbi pjesën më të madhe të edicionit 2020/21 te Real Madrid. Por “do të jem gati kur të fillojë Evropiani”, tha Hazard në një konferencë për shtyp të hënën.

Mesfushori belg pranoi se ende nuk është fizikisht i përgatitur 100 për qind, por insistoi se do të jetë në fushë dhe se do ta japë maksimumin në ndeshjen e parë të Belgjikës. Belgjika ndeshjen e parë në “Euro 2020” e luan më 12 qershor kundër Përfaqësueses së Rusisë. Në fakt Belgjika llogaritet favorite për triumf në Kampionatin Evropian dhe bën pjesë në grupin B, të cilin e përbëjnë edhe Danimarka e Finlanda. Hazard mbërriti në qendrën stërvitore të Belgjikës në Tubize të hënën, në të njëjtën kohë me shumicën e bashkëlojtarëve, dhe si kapiten ishte i pari që foli para mediave.

“Kam humbur ndeshjen e fundit me Realin për shkak të një shqetësimi të vogël në kofshë. Që atëherë unë kam qenë në gjendje të pushoj për një javë dhe mendërisht jam mirë. Do të jem përsëri mirë kur të kthej besimin tim dhe kur kofsha dhe kyçi i këmbës nuk më dhembin. Unë kam pasur një sezon të pafat”, pranoi Hazard. “Unë gjithmonë kam qenë një lojtar që më pëlqente të luaja në secilën ndeshje, por nuk ka qenë kështu situata. Kam akoma shumë vjet të mirë përpara meje”.

Pikërisht lëndimet e kanë mbajtur Hazardin jashtë Përfaqësueses së Belgjikës për ndeshjet e fundit.

“Më ka marrë malli për të luajtur për Belgjikën dhe besoj se do të jem gati plotësisht kur të fillojë Evropiani. Unë jam i lumtur vetëm kur jam në fushë”, insistoi Hazard. “Kemi një ekip të mirë dhe synimi është që të shkojmë sa më larg, pse jo edhe ta fitojmë titullin e Evropës”.

Edhe Hazard dëshiron të pensionohet te Reali Sport Hazard dëshiron të pensionohet te Reali

Hazard prej se u transferua te Real Madridi, në verën e vitit 2019 nga Chelsea për 150 milionë euro, është përballur me lëndime. Në total përgjatë këtyre edicioneve, mesfushori belg ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar tetë herë në 43 paraqitje në të gjitha garat për Real Madridin. Përkundër kontributit të vogël, Hazard insistoi se nuk e ka ndërmend të largohet nga Real Madridi, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2024.

“Kam kaluar dy sezone të shkëlqyera, por jam irrituar që nuk kam mundur të jepja më shumë për shkak të lëndimeve”, u shpreh Hazard. “Unë nuk mund ta shoh veten diku tjetër përveç Real Madridit. Kam edhe tri vjet kontratë, dhe pavarësisht dy vjetëve të komplikuara që i kisha, unë jam i vendosur për ta dhënë më të mirën nga vetja për ekipin”.