Eden Hazard beson se ka shumë për t'i ofruar Belgjikës në Kupën e Botës dhe është i bindur se mund t'u dëshmojë kritikuesve të tij se po gabojnë në vlerësime. Mesfushori belg përjashtoi një largim të shpejtë nga Real Madridi.
Hazard, që shkon në Botëror për herë të tretë, është kapiten i Belgjikës por mezi ka luajtur për Realin këtë sezon pasi nuk është zgjidhje e parë për trajnerin Carlo Ancelotti. 31-vjeçari po e krahason Botërorin “Katari 2022” me situatën në Kampionatin Evropian të vitit 2020, ku ai u fut pa minutazhë të madhe dhe ishte ndër më të dalluarit te Belgjika.
“Unë po e mbaj buzëqeshjen. Kam kaluar disa muaj të vështirë ku nuk kam arritur të fitoj shumë ritëm. Tani më duhet të tregoj se mund ta bëj akoma, pra të jap më të mirën nga vetja. Nuk dyshoj në aftësitë e mia, por e kuptoj që bota e jashtme ka dyshime. Kështu që Katari është vendi ideal për t’i demantuar të gjithë ata që dyshojnë”, deklaroi Hazard. “Ashtu si në Evropianin e fundit. Kam fituar minuta në ndeshjet e para dhe kam qenë në çerekfinale kundër Portugalisë. Stafi ynë mjekësor dhe teknik do të më ndihmojë të jem gati. Ndihem mirë fizikisht. Sigurisht më mungon ritmi, prandaj ndeshja e fundit stërvitore kundër Egjiptit është e rëndësishme. Pastaj dua të jem atje për ndeshjen e parë në Katar”.
Belgjika do të luajë kundër Egjiptit në Kuvajt në një ndeshje stërvitore të premten. Një Hazard në formë të mirë është çelësi për përzgjedhësin Roberto Martinez. Ai vlerësohet udhëheqës i të ashtuquajturës “Gjenerata e Artë” e belgëve.
“Nuk i kam humbur papritmas cilësitë e mia. Ky do të jetë Botërori im i tretë dhe dua të tregoj se Belgjika ende mund të llogarisë në kapitenin e saj dhe se dua të jap gjithçka për ekipin”, insistoi Hazard.
“Së bashku me disa djem të tjerë kam arritur një moshë ku mund të largohesh nga ekipi. Por jo para se të shkoj në Katar fillimisht”.
Belgjika, e cila përfundoi e treta në Kupën e Botës 2018, është pjesë e Grupit F dhe ndeshjen hapëse e luan kundër Kanadasë më 23 nëntor. Më pas përballet me Marokun dhe Kroacinë.
Edhe
Vështirësitë e Hazardit te Reali po e shqetësojnë Belgjikën
“Fokusi ynë i parë duhet të jetë në mbijetesën e fazës së grupeve, pra të kalojmë tutje”, tha Hazard. “Atëherë çdo gjë është e mundur nëse japim maksimumin. Çerekfinalja, gjysmëfinalja apo edhe finalja”.
Ai gjithashtu përsëriti se nuk ka ndërmend të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit, ndonëse pranoi vështirësitë prejse iu bashkua ekipit në vitin 2019 nga Chelsea. Këtë sezon Hazard ka regjistruar vetëm gjashtë paraqitje te Reali, duke qenë titullar në vetëm dy ndeshje. Në total i ka 229 minuta lojë. Edicionin e shkuar ai kishte luajtur 542 minuta, duke përfshirë pesë ndeshje si titullar në të njëjtën fazë.
“Unë nuk dua të largohem nga Reali. Ndoshta gjërat do të duken ndryshe për mua atje pas Kupës së Botës”, u shpreh Hazard.