A do të eliminohet herët Belgjika në Kampionatin Botëror “Katari 2022” për shkak të formës së dobët dhe minutazhit së vogël te Eden Hazardit te Real Madridi? Kjo është pyetja që të gjithë tifozët e Belgjikës po e bëjnë dhe ata do të kenë një ide për përgjigjen kur ekipi i tyre të përballet me Uellsin dhe Holandën në Ligën e Kombeve këtë javë.
Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez e ftoi Hazardin për këto dy ndeshje dhe tha se dëshiron ta shohë atë në fushë, diçka që ka ndodhur shumë rrallë në Madrid. Qëkur iu bashkua Real Madridit nga Chelsea në vitin 2019, 31-vjeçari Hazard ka luftuar me lëndime, duke përfshirë një thyerje të këmbës së djathtë gjatë sezonit të tij të parë që pati një efekt të zgjatur. Këtë sezon, ai ka qëndruar në stol në katër ndeshje dhe ka luajtur një total prej 158 minutash.
Pasi Hazard dha një paraqitje drithëruese në fitoren 3:0 kundër Celticut këtë muaj – përfshirë golin e tij të parë në Ligën e Kampionëve që nga nëntori i vitit 2020 – shumë menduan se kjo paraqitje do të niste sezonin e tij. Por Hazard u zëvendësua pas një ore në ndeshjen e radhës të Madridit në La Liga, dhe që atëherë nuk është paraqitur. Një tjetër burim shqetësimi për Belgjikën është se Hazardi është bërë zëvendësues i Real Madridit për sulmuesin Karim Benzema, me trajnerin Carlo Ancelotti duke e përdorur atë në një të sulmuesit të rremë. I pyetur për pozicionimin e Hazard me klubin e tij, përzgjedhësi Martinez e bëri të qartë se nuk është një opsion për Belgjikën të luajë si sulmues.
“Ne kemi një skuadër më të mirë kur kemi fiksuar numrin 9, dhe Edenin duke përdorur hapësirat rreth tij”, tha Martinez.
Vështirësitë e Hazardit te Real Madridin kanë ndikuar tashmë në paraqitjet e tij te Belgjika. Në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve këtë vit, Hazard ka dhënë vetëm një asistim dhe është zëvendësuar pas 45 minutash në qershor në humbjen 4:1 në shtëpi ndaj Holandës. Dhe, hera e fundit që Hazard luajti një ndeshje të plotë me fanellën e Belgjikës ishte më shumë se një vit më parë në Kampionatin Evropian kundër Finlandës në qershor të vitit 2021.
Kjo aspak nuk është e mirë për një lojtar me 120 paraqitje ndërkombëtare, figurën emblematike të Belgjikës në 10 vjetët e fundit, ambicia e të cilit është t'i udhëheqë shokët e tij drejt titullit të Kupës së Botës. Në Katar, Belgjika do të luajë për herë të tretë radhazi në Kupën e Botës. Ka të ngjarë të jetë shansi i fundit për “brezin e artë” të lojtarëve të vendit për të fituar titullin kryesor që e dëshiron pas dështimeve të përsëritura në vitet e fundit. Belgjika arriti në gjysmëfinale në Kupën e Botës “Rusia 2018” dhe u eliminua në çerekfinale të Evropianit të vitit të kaluar. Por pavarësisht nga të gjitha dyshimet rreth Hazardit, Martinez ka besim tek ish-ylli i Chelseat.
“Edeni është në një vend të lumtur, ai është gati të luaj dhe unë nuk kam asnjë shqetësim”, tha ai.
Edhe
Kapiteni i Belgjikës, Hazard, i vendosur të dëshmohet në Katar pas kritikave
Martinez pranoi se ishte “shumë i shqetësuar” kur Hazardi duhej të luante me dhimbje para operacionit të fundit të kyçit të këmbës dhe nuk mund të lëvizte lirshëm në fushë.
“Kirurgjia e re i dha atij një ndjenjë të re”, tha ai. “Mungesa e minutave nuk më shqetëson vërtet për sa i përket nivelit të tij. Shqetësimi im është se sa ndeshje mund të luaj një lojtar që nuk i ka ato minuta, dhe kjo është ajo që duhet të matim”.
Duke mbetur tre pikë pas Holandës në grup, Belgjika luan të enjten me Uellsin, përpara se të përballet me Holandën tri ditë më vonë në Amsterdam. Grupi përfshin edhe Poloninë. Belgjika do të jetë pa sulmuesin Romelu Lukaku, i cili është i lënduar.