Kevin De Bruyne, Eden Hazard dhe Romelu Lukaku u përfshinë në listën prej 32 lojtarëve të Belgjikës të mërkurën përpara ndeshjeve të ardhshme të Ligës së Kombeve. Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, kishte pushuar emrat e mëdhenj për ndeshjet e marsit për t'u fokusuar te lojtarët me më pak se 50 paraqitje ndërkombëtare. Por për t’u përgatitur sa më mirë për Botërorin “Katari 2022” që nis më 21 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor, Martinez tha se është thelbësore që bërthama e ekipit të tij të kalojë kohë së bashku.
“Ky është kampi i vërtetë konkurrues. Ne kemi 14 ditë, katër ndeshje, diçka që nuk e kemi bërë kurrë më parë”, tha Martinez. “Ky është një grup me shumë përvojë. Ne kemi punuar së bashku për gjashtë vjet, e njohim njëri-tjetrin shumë, shumë mirë dhe është e rëndësishme që ta kalojmë atë kohë së bashku”.
Belgjika fillimisht do të përballet me Holandën më 3 qershor dhe më pas do të luajë me Poloninë përpara se të udhëtojë në Uells. Skuadra e Martinez do të përfundojë orarin e ngjeshur prej katër ndeshjeve të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve me duelin që e luan në udhëtim te Polonia më 14 qershor. Grumbullimi i radhës i Belgjikës para Botërorit do të jetë në muajin shtator, me dy ndeshje tjetër të Ligës së Kombeve për t’u luajtur dhe vetëm shtatë ditë për të qëndruar së bashku.
“Kështu që, ju mund të imagjinoni se kampi i qershorit do të jetë thelbësor”, tha Martinez.
Në Katar, Belgjika do të luajë për herën e tretë rresht në Kampionatin Botëror. Ka të ngjarë të jetë shansi i fundit për “brezin e artë” të lojtarëve të vendit për të fituar trofeun pas dështimeve të përsëritura në vitet e fundit. Belgjika arriti në gjysmëfinalen e Botërorit “Rusia 2018” dhe u eliminua në çerekfinale nga Italia në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar. Hazard - figura emblematike e Belgjikës gjatë dekadës së fundit - u rikthye për të luajtur te Real Madridi këtë muaj pas operacionit në kyçin e këmbës dhe Martinez është i lumtur që mesfushori do të jetë në skuadrën e tij për kampin e qershorit.
Edhe
Lukaku përfshihet në ekipin e Belgjikës për Kupën e Botës
“Le të shpresojmë që Edeni të arrijë në nivelin e tij më të mirë të mundshëm për kampin e qershorit, sepse ne kemi nevojë që ai të jetë i lumtur dhe plotësisht në formë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të jemi ekip i fortë”, insistoi Martinez.
Përveç lojtarëve me përvojë dhe yjeve që ka në dispozicion, Martinez thirri edhe dy fytyra të reja, Amadou Onana dhe Lois Openda, të cilët kanë bërë përshtypje me ekipin U21. Onana, i cili luan si mesfushor te Lille, ka një profil të gjithanshëm dhe ka të ngjarë të përdoret në shumë pozita, ndërsa Openda – një sulmues te Vitesse – ofron një mori aftësish për të plotësuar linjën sulmuese tashmë solide të Belgjikës.
“Shumë i shpejtë, gjithmonë duke vrapuar në hapësirë”, tha Martinez kur u pyet për cilësitë e Openda. “Ai është golashënuesi më i mirë në nivelin U21 për futbollin belg, me 13 gola. Statistikat flasin vetë dhe me këtë është pjekuria dhe përgjegjësia që ai po merr”.
Martinez nuk zgjodhi sulmuesit Christian Benteke dhe Divock Origi, por këmbënguli se kjo nuk do të thotë se e ardhmja e tyre te Belgjika ka marrë fund.
Edhe
Mundësia e fundit për brezin e artë “shumë të vjetër” të Belgjikës në Kupën e Botës
“Ne i kemi parë ata në dy kampet e fundit, i njohim mirë dhe ende llogariti tek ata”, shtoi Martinez/
sulmuesi i Rennesit, Jeremy Doku, gjithashtu nuk u ftua për grumbullimin e muajit të ardhshëm, por Martinez tha se ai thjesht donte t'i jepte atij kohë për t'u rikuperuar pas sezonit të tij të mbushur me lëndime.