Sport

Hapet afati kalimtar i verës në epokën e fuqisë së lojtarëve

Kylian Mbappe - vazhdon me Paris Saint-Germainin

Afati kalimtar i verës në futboll hapet zyrtarisht në Angli të premten, me klubet e Premier Leagues përsëri të vendosura për të harxhuar paratë, ndërsa e ardhmja e përzgjedhjes së yjeve pa kontrata dominon titujt kryesorë në kontinent. Klubet në Angli do të kenë një periudhë prej gati 12 javësh, deri më 1 shtator, për të forcuar skuadrat e tyre, ndonëse tashmë është bërë një nga lëvizjet më të mëdha, me sulmuesin Erling Haaland që shkon te Manchester City nga Borussia Dortmundi. Kështu ka shkruar të enjten agjencia AFP. 

Do të ketë titujt e zakonshëm të skuadrave të Premier Leagues që tregojnë muskujt e tyre financiarë, me një rritje të madhe të ardhurave nga marrëveshjet e të drejtave jashtë shtetit, që thuhet se do të çojnë të ardhurat nga transmetimi për ciklin trevjeçar deri në vitin 2025 mbi 10 miliardë funte. Me rritjen e shpërblimeve financiare, shanset janë që klubet angleze të shpenzojnë sërish kolektivisht më shumë se 1 miliard funte për transferime, siç kanë bërë në gjashtë afatet e fundit të verës. Lëvizja e Haalandit do t'i kushtojë Cityt atë që mund të konsiderohet një shumë modeste prej 51 milionë funtesh, për shkak të klauzolës së lirimit në kontratën e tij me Dortmundin.

Sulmuesi norvegjez nuk ka gjasa të jetë i riu më i shtrenjtë në elitën e Anglisë - Liverpooli dhe Manchester Unitedi janë në garë për sulmuesin uruguaian Darëin Nunezin, i vlerësuar në 100 milionë euro nga Benfica. Megjithatë, shpesh janë transferimet që ndodhin përtej klubeve më të mëdha të Premier Leagues që konfirmojnë se sa e fuqishme është bërë elita e Anglisë. Një shembull kryesor është Aston Villa, ekip që sezonin 2021/22 e mbylli në pozitën e 14-të, por tashmë ka zyrtarizuar transferimet e Diego Carlosit nga Sevilla dhe Boubacar Kamaras nga Marseille. Mbrojtësi brazilian Diego Carlos do të transferohet për 26 milionë funte, ndërkohë që mesfushori Kamara, i cili sapo ka hyrë në Përfaqësuesen e Francës, është një lojtar i lirë me kontratën e tij me Marseillen që i skadon në fund të muajit. Të dy refuzuan futbollin e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm për t'u drejtuar në stadiumin “Villa Park”.

Ndërkaq, lëvizja e mesfushorit Kamara është tregues për diçka tjetër. Kjo është epoka e fuqisë së lojtarëve, me gjithnjë e më shumë yj më të mëdhenj të lumtur që lejojnë që kontratat e tyre të mbarojnë dhe në këtë mënyrë tarifat e mëdha të transferimeve që mund të paguhen ndërmjet klubeve kanë më shumë gjasa të përfundojnë në xhepat e vetë futbollistëve si bonuse nënshkrimi. Kylian Mbappe lejoi që kontrata e tij me Paris Saint-Germainin të përfundojë përpara se të vendoste të qëndronte në kryeqytetin francez, në vend që të nënshkruante për Real Madridin. Paul Pogba largohet nga Manchester Unitedi për herë të dytë në karrierën e tij si lojtar i lirë, pasi u transferua në “Old Trafford” nga Juventus për një tarifë rekorde në vitin 2016, mesfushori francez tani mendohet të kthehet në Torino si lojtar i lirë. Paulo Dybala është duke u larguar nga Juventusi dhe pritet të bashkohet me Interin, ndërsa Ousmane Dembele gjithashtu mund të largohet falas nga Barcelona. Futbollistët e tjerë, si Sadio Mane në Liverpool dhe Robert Lewandowski në Bayern Muenchen janë gati të ecin përpara dhe e dinë se klubet e tyre duhet t’i shesin tani nëse nuk duan t'i humbin ata falas kur kontratat e tyre të skadojnë vitin e ardhshëm. Dembele është lidhur me një kalim te PSG-ja, klub që do të jetë sërish i zënë në treg me hapjen e afatit kalimtar në Francë, të premten. Kampioni i Ligue 1 dominoi titujt e lajmeve vitin e kaluar me transferimin e Lionel Messit pasi i skadoi kontrata me Barcelonën. Këtë herë priten më pak ardhje të reja me shkëlqim në stadiumin “Parc des Princes”, ku prioriteti kryesor ishte mbajtja e Mbappe.

Pas dy vjetësh shtrëngimi të detyrueshëm të rripit për shkak të pandemisë dhe kolapsit të një marrëveshjeje fitimprurëse transmetimi me kompaninë “Mediapro”, perspektiva tani është më e ndritshme për klubet franceze në përgjithësi. Firma private e kapitalit “CVC Capital Partners”, e cila më parë ka blerë një aksion në La Liga, po investon 1.5 miliardë euro për një 13 për qind të aksioneve në kompaninë e sapokrijuar tregtare të Ligue 1. Kjo do të thotë një injeksion i menjëhershëm i rëndësishëm parash për klubet, në një kohë kur gjithnjë e më shumë investitorë të huaj po tërhiqen nga ekipet franceze. Megjithatë, përveç PSG-së, klubet e Ligue 1 për momentin do të vazhdojnë të luftojnë me ato në Bundesligë, Serie A dhe La Liga, ku afati kalimtar i transferimeve hapet zyrtarisht më 1 korrik.