Reprezentuesi i Marokut, Achraf Hakimi nuk e ka ndërmend të largohet nga Paris Saint-Germaini përkundër ofertave të shumta, ka bërë të ditur agjenti i tij në një intervistë të enjten për mediumet franceze.
Sipas tij, Hakimi është i vendosur ta respektojë deri në fund kontratën me Parisin, e cila i skadon në verën e vitit 2026.
Ai ka thënë se klienti i tij është shumë i lumtur tek ekipi francez dhe për këtë arsye nuk po e mendon largimin.
“Hakimi nuk dëshiron të largohet nga Parisi dhe ka gjasa që së shpejti klubi t’ia ofrojë kontratën e re. Ai ndihet shumë mirë aty”, ka thënë Alejandro Camano.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, këtë edicion ka 4 gola e po aq asistime në të gjitha garat për Parisin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2021.
Para Parisit, 25-vjeçari ka qenë edhe pjesë e Interit, Real Madridit e Borussia Dortmundit.