Sport

Hajrizi shpreson që statistikave të mira t’ua “shoqërojë” edhe dy fitore

Basketbollisti Drilon Hajrizi premton se angazhimi dhe kontributi i tij nuk do të mungojë te Përfaqësuesja e Kosovës në dy ndeshjet vendimtare në kuadër të fazës së parë parakualifikuese për Botërorin e vitit 2023. Duelet e kësaj jave me Luksemburgun e Sllovakinë përcaktojnë edhe fatin e Kosovës në Grupin B të fazës së parë parakualfikuese.

“Dardanëve” u duhen fitore në ndeshjet që luhen të enjten e të shtunën në Prishtinë për të avancuar në fazën tjetër. Hajrizi ka thënë të martën për KOHËN se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të shënuar dy fitore.

Kosova deri më tani i ka zhvilluar katër ndeshje në kuadër të këtyre parakualifikimeve dhe zë vendin e tretë në grup me gjashtë pikë, sa i ka edhe Sllovakia që është e dyta.

Hajrizi është lojtari më i dalluar te Kosova në këtë cikël si për shënimin e pikëve ashtu edhe për kërcime e asistime. Basketbollisti i Trepçës ka luajtur me një mesatare prej 16 pikëve, 6.5 kërcimeve dhe 4.5 kërcimeve për ndeshje.

“Shpresoj që angazhimi im nuk do të mungojë edhe në këto dy ndeshjet e fundit të kësaj faze dhe besoj që do të jem njëri ndër ata lojtarë që do të kontribuojë për një rezultat historik, pra fitore në të dyja ndeshjet dhe kualifikim të mëtejmë”, tha Hajrizi për KOHËN. “Pres që së bashku më lojtarët e tjerë të mos kursejmë asgjë nga vetja, sepse kemi një mundësi të mirë dhe nuk duam ta lëshojmë”.

Hajrizi insiston se Kosova këtë herë është më e fortë dhe më e kompletuar sesa në nëntor kur në Bratislavë pësoi dy humbje në po aq ndeshje të luajtura – nga Sllovakia dhe Islanda. Kosova nuk ishte e kompletuar, kurse tani përzgjedhësi Christos Marmarinos ka në dispozicion të gjithë basketbollistët.

“Janë dy ndeshje të rëndësishme dhe mendoj se këtë herë jemi të kompletuar në krahasim me herën e fundit kur patëm mungesa të mëdha dhe patëm vështirësi. Kështu që besoj se do të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të avancojmë në fazën kualifikuese që do të ishte rezultat historik”, u shpreh Hajrizi. “Duhet patjetër t’i fitojmë këto dy ndeshje vendimtare dhe mendoj që jemi përgatitur mirë, pasi gjithçka ka shkuar sipas planit. Na mbetet vetëm të aplikojmë atë se çfarë kërkon trajneri për shkak se sa i përket cilësisë, mendoj se ajo është e barabartë”.

Hajrizi pranon se ndeshjet me Luksemburgun e Sllovakinë nuk do të jenë të lehta. Në ndeshjen e parë, të luajtur para një viti, Kosova e pati mposhtur Luksemburgun me rezultatin 84:80 përpara se të pësoj humbje të thellë nga Sllovakia (91:67).

“E kemi parasysh se nuk do të jetë lehtë, por gjithashtu e kemi përparësinë që luajmë në Prishtinë dhe jam i bindur se të gjithë do të angazhohen maksimalisht për fitore. Mungesa e tifozëve në tribuna do të vërehet dukshëm, por ne shpresojmë që mungesën e tyre ta kompensojmë duke u kualifikuar në fazën tjetër, për të cilën edhe kemi punuar shumë gjatë tërë kësaj periudhe”.

Hajrizi këtë edicion në Superligën e Kosovës e nisi te skuadra e Pejës kurse në fillim të këtij viti u kthye te Trepça, ku mbetet njëri prej lojtarëve kryesor në ekip.

Kosovës për dy ndeshjet e kësaj jave i është kthyer kapiteni Dardan Berisha që mungoi në Bratislavë, për shkak të infektimit me COVID-19.

Të gjitha ndeshjet e grupit B do të zhvillohen në Prishtinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Grupit i prin Islanda me shtatë pikë, një më shumë se Sllovakia e Kosova derisa Luksemburgu është i fundit në tabelë me pesë pikë të grumbulluara.