Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hajduku nuk mund të mendohet pa Emir Sahitin

Ndonëse nuk është prej yjeve të skuadrës, Emir Sahiti është shumë i rëndësishëm për Hajdukun e Splitit. Në një tekst të gjatë për kosovarin, sajti kroat “germanijak.hr”, ka shkruar se Hajduku aktual nuk mund të mendohet pa Sahitin.

Ai shpërtheu me tri asistime, secili më i mirë se tjetri, në fitoren e Hajdukut të Splitit në fundjavë ndaj Slaven Belupos, 4:0.

“Sahiti nuk është yll si Ivan Perishiqi, Marko Livaja, Nikola Kaliniqi e Josip Brekalo, fanellat e të cilëve janë më të shiturat nga Hajduku. Por ekipi nuk mund të imagjinohet pa të. Luan kryesisht në krahun e djathtë, por mund të luaj edhe në krahun e majtë”, ka shkruar sajti kroat.

Në 26 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion, Sahiti ka gjashtë gola e gjashtë asistime.

25-vjeçari ka kontratë me Hajdukun edhe dy vjet e gjysmë. Por për të ka interesim të vazhdueshëm. Një lëvizje nuk mund të përjashtohet për verë, kurse Sahiti momentalisht është i fokusuar që ta ndihmojë skuadrën nga Spliti ta fitojë titullin e Kroacisë, të cilin po e pret kohë shumë të gjatë.

Hajduku është në vendin e dytë me 45 pikë, dy më pak se Rijeka. Dinamo, që ka një ndeshje më pak të luajtur, mban vendin e tretë me 41 pikë.