Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Goli i veçantë i Albian Ajetit

Albian Ajeti vendosi derbin e Grazit, të mërkurën.

Sturm Grazi fitoi 1:0 ndaj Grazer AK, në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Austrisë.

Ishte ballafaqimi i parë pas 15 vjetëve ndërmjet këtyre dy skuadrave. Grazeri aktualisht bën gara në një rang më poshtë të futbollit austriak, por rivaliteti është i madh.

Mediat në Austri e kanë cilësuar golin e minutës së 65-të nga Ajeti si më të vlefshmin për të deri tani me fanellën “bardhezi”.

“Jam i lumtur që kam shkruar një copëz historie”, ka thënë 25-vjeçari Ajeti, shkruan “Laola1.at”.

“Jam i lumtur që shënova dhe u dhurova tifozëve diçka që e kanë pritur për një kohë të gjatë – 15 vjet. Atmosfera ishte e shkëlqyer. Është e pabesueshme se çfarë atmosfere kanë dhuruar tifozët së bashku. Ne fituam dhe çfarë mund të kërkosh më shumë se kaq?”, është shprehur tutje Ajeti.

Ai është huazuar nga Celticu skocez në verë te skuadra e elitës së futbollit austriak.

Edhe Ajeti thotë se mund ta ndihmojë ekipin edhe pa shënuar Futboll 8 muaj më parë Ajeti thotë se mund ta ndihmojë ekipin edhe pa shënuar

Në nëntë ndeshje të zhvilluara, Ajeti ka shënuar tri gola. Ai është rritur në futbollin zviceran. Ka qenë pjesë e Baselit dhe St. Gallenit, ndërsa karrierë ka bërë edhe tek Augsburgu në Gjermani e West Ham Unitedi në Angli.

“Jam këtu, jam duke luajtur dhe duke vrapuar. Por ende nuk e kam arritur nivelin më të lartë. Mos harroni se nuk kam luajtur për kohë të gjatë. Erdha këtu sepse kam pasur besimin e stafit drejtues, drejtorit sportiv dhe presidentit. Këto janë më të rëndësishmet për mua. Natyrisht, po mundohem të jap më të mirën dhe u jam mirënjohës të gjithëve”, tha Ajeti, i cili mezi e pret ndeshjen derbi me Salzburgun në Austri.

Salzburgu kryeson në ligë me 29 pikë nga 12 ndeshje të luajtura. Ka vetëm dy pikë më shumë se Sturm Grazi. Ndeshja mes Salzburgut e Sturm Grazit luhet të shtunën nga ora 17:00.