Pas një Kupe Botërore katastrofale katër vjet më parë si kampione në fuqi, Gjermania do të shkojë në Katar me një trajner të ri, në një turne të madh për herë të parë që nga viti 2008. Pak e dinë se çfarë të presin nga Gjermania që ka katër tituj bote. Bilanci i Hansi Flickut që nga marrja e detyrës si trajner nga Joachim Loewi në vitin 2021, ofron pak optimizëm.
Gjermania ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit – 5:2 ndaj një Italie të dobësuar – ndërsa shumë nga problemet e ekipit u vërejtën në disfatën ndaj Hungarisë në shtëpi dhe barazimin me fat 3:3 në Angli. Kundër Hungarisë, gjermanët kishin posedim të topit, por u përpoqën të krijonin raste të mira kundër një mbrojtjeje që punonte shumë. Dhe kundër Anglisë skuadra u rrëzua pasi mori dy gola të shpejtë dhe në fund iu falënderua Kai Havertzit që siguroi barazimin me golin e shënuar në minutën e 87-të. Në grupin E të Kupës së Botës, Gjermania do të përballet me Spanjën, Japoninë dhe Kosta Rikën. Gjermania do të luajë me Omanin në një ndeshje përgatitore më 16 nëntor, por ndeshja që zhvillohet në Muscat është kryesisht për t'i përshtatur lojtarët në Gadishullin Arabik përpara turneut në Katar.
Riformatizimi i Flickut
Flick shijoi një periudhë të mbushur me trofe te Bayerni dhe supozohej të sillte një epokë të re për Gjermaninë pas përfundimit zhgënjyes të mbretërimit të Loewit në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar. Mandati 16-vjeçar i Loewit në krye të Gjermanisë përfundoi me një humbje 2:0 nga Anglia në raundin e dytë të “Euro 2020”, të shtyrë nga pandemia.
Disa argumentuan se periudha e Loewit duhet të kishte përfunduar më parë. Pika më e lartë e Loewit te Gjermania ishte triumfi në Botërorin e vitit 2014 të mbajtur në Brazil, por ajo u pasua nga pika më e ulët katër vjet më vonë, kur kampionia në fuqi u eliminua në fazën e grupeve pas humbjes nga Koreja e Jugut në turneun në Rusi.
Megjithëse Flick filloi me tetë fitore, duke përfshirë kualifikimet e Kupës së Botës, ato erdhën kundër përfaqësueseve si Armenia, Lihtenshtajni, Maqedonia e Veriut dhe Islanda - skuadra që Gjermania pritej t’i mundte. Deri më tani ka pak shenja që Flick e ka përmirësuar në ndonjë mënyrë ekipin që trashëgoi. Loew e kishte braktisur ndryshimin e planifikuar të skuadrës pas Kupës së Botës të fundit. Ai riktheu sulmuesin Thomas Mueller e mbrojtësin Mats Hummels për Evropianin e vitit të shkuar, ndonëse i kishte lënë jashtë Botërorit “Rusia 2018”. Mueller mbetet lojtar kyç për Flickun, por mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos është tërhequr, duke bartur përgjegjësinë te dyshja e Bayernit, Joshua Kimmich dhe Leon Goretzka, me İlkay Guendoganin si një tjetër opsion.
Nevoja për gola dhe kritikat ndaj Katarit
Gjermania ka probleme në sulm, ku periudha e pasuksesshme e Timo Wernerit te Chelsea duket se ka pasur një efekt të qëndrueshëm edhe pas kalimit të tij në Leipzig. 26-vjeçarit Werner iu kërkua të “gjuajë më shumë” nga trajneri i Leipzigut, Marco Rose. Flick nuk do të mund të llogaritë në Wernerin, i cili shkaku i lëndimit nuk do të jetë në gjendje të luajë fare këtë vit.
Mungesa e tij në Botëror do të jetë një brengë e madhe për Fickun. Mungesa e golave te Gjermania ka bërë që Flick t’i dëgjojë kritikat për ta ftuar në Katar sulmuesin e Werder Bremenit, Niclas Fuellkrug. 29-vjeçari Fuellkrug ishte golashënuesi më i mirë në Bundesligë me tetë gola në 11 ndeshje, pasi kishte shënuar 19 në kategorinë e dytë sezonin e kaluar.
Fuellkrug gjithashtu kombinon mirë me shokët e skuadrës në Bremen, duke sugjeruar se ai mund të përshtatet shpejt te Gjermania. Gjëja e vetme pozitive për Gjermaninë nga ndeshjet e fundit ka qenë forma e mesfushorit me tipare sulmuese, 19-vjeçarit të Bayernit, Jamal Musiala, i cili është shndërruar shpejt si një nga talentet me të mëdha në futbollin evropian. Musiala, i cili mund të kishte luajtur edhe për Anglinë, sjell një element të paparashikueshëm në lojën e Gjermanisë. Formimi i skuadrës gjermane ka ndodhur mes një rryme të vazhdueshme kritikash kundër turneut për shkak të shkeljeve të dyshuara të drejtave të njeriut në Katar.
Federata gjermane e futbollit u përpoq të adresonte shqetësimet duke mbajtur një kongres të drejtave të njeriut në shtator, kur ambasadori i Katarit në Gjermani u ankua se këto çështje po largonin vëmendjen nga turneu. Kimmich tha gjatë ndeshjeve të fundit ndërkombëtare se tani është tepër vonë për t'u ankuar.
“Është e vështirë të merresh me disa gjëra para turneut për sa u përket kërkesave, për shembull të drejtat e njeriut, kushtet e punës ose ndikimi në klimë. Mendoj se të gjithë i dinin të gjitha para se të jepej organizimi i Botërorit”, tha Kimmich. "Unë mendoj se jemi 12 vjet vonë”.