Mesfushori i talentuar, Gavi, ka refuzuar ofertën e fundit të Barcelonas për rinovimin e kontratës, ka raportuar “Marca” të enjten. Kjo është oferta e tretë rresht që Gavi e refuzon për shkak se nuk është i kënaqur me kushtet e ofruara.
Sipas gazetës, 17-vjeçari ka paralajmëruar se tani do t’i shqyrtojë ofertat e skuadrave tjera.
Gavi, i cili këtë edicion është promovuar në ekipin e parë të Barcelonas, ka impresionuar me paraqitjet e tij dhe po vlerësohet ndër mesfushorët më të talentuar.
Ai ka kontratë me Barçën deri në vitin e ardhshëm, ndërsa këtë sezon ka shënuar dy gola dhe ka asistuar pesë herë në 24 paraqitje në La Liga.
Gavi në total ka 35 ndeshje me fanellën e Barcelonas deri më tani.